Mëngjesin e sotëm, Policia njoftoi për arrestimin e një personi në Vushtrri, pasi i njëjti dyshohet se nën kërcënimin e armës ka dhunuar seksualisht dhe fizikisht ish-bashkëshorten e tij, raporton Prishtina Sot.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhënë detaje ekskluzive lidhur me rastin, teksa bëhet e ditur se i dyshuari është F.Hyseni, 21-vjeçar.
Hyseni, identitetin e plotë të të cilit redaksia ka vendosur mos ta publikojë për të mos identifikuar viktimën, dyshohet se ka marrë me dhunë 19-vjeçaren në veturën e tij dhe më pas e ka kërcënuar me armë.
Sipas burimeve, viktima në dëshminë e saj ka thënë se i dyshuari e ka kërcënuar se do ta vrasë atë dhe babain e saj e më pas e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Sikur kjo të mos mjaftonte, 21-vjeçari dyshohet se më pas e ka detyruar viktimën që të bëjë edhe fotografi me të, gjithmonë pa dëshirën e saj.
Viktima ka rrëfyer në detaje para organeve të hetuesisë gjithë tmerrin që përjetoi, gjë që bëri që njësitë policore të aktivizohen dhe të arrestojnë Hysenin.
19-vjeçarja ka marrë edhe tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.