Borxhet prej qindra e mijëra eurove shumë shpesh kanë shkaktuar incidente dhe kanë eskaluar në sulme e kërcënime serioze – madje edhe në rrëmbim. Një incident i tillë dhe mjaft i rëndë ndodhi edhe pasditen e djeshme në Mamushë, ku një person u rrëmbye dhe u sulmua fizikisht nga dy të tjerë për shkak të një borxhi financiar.
Rasti ka ndodhur të shtunën pasdite dhe Policia tashmë ka arritur t’i prangos dy personat e dyshuar për rrëmbimin e 31-vjeçarit. Burimet nga prokuroria kanë bërë me dije se viktima ishte duke udhëtuar me një shok nëpër Mamushë kur dy të dyshuarit e ndoqën nga pas me një furgon Mercedes Vito.
Pasi arritën ta ndalojnë viktimën pranë fshatit Nëpërbisht, të dyshuarit e nxorën me forcë nga makina dhe filluan ta godasin me grushte.
Viktima u dërgua në oborrin e shtëpisë së të dyshuarve, ku u sulmua përsëri, përfshirë me një bisht të thyer lopate, duke pësuar lëndime në krahun e majtë dhe shpinë.
Siç mëson tutje gazeta, ishte babai i të dyshuarve që ndërhyri për të ndaluar sulmin dhe më pas e dërgoi viktimën në shtëpinë e tij.32-vjeçari më vonë njoftoi Policinë, e cila e dërgoi atë në QKMF Mamushë për ndihmë mjekësore dhe më pas, për trajtim të mëtejshëm, u transportua nga familjarët në Spitalin e Prizrenit.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi financiar midis viktimës dhe të dyshuarve, thonë tutje të njëjtat burime.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar dy të dyshuarit dhe i ka shoqëruar në stacionin policor.
Pasi është kontaktuar prokurorja kujdestare, të dyshuarit u dërguan në mbajtje për 48 orë.