Një dështim teknologjik ka shkaktuar kaos në mbarë botën. Kaosi shpërtheu në aeroportin e Berlinit për shkak të problemeve me kontrollin e pasagjerëve, trenat në Angli janë vonuar . Një numër i madh institucionesh në mbarë botën, duke përfshirë bankat e mëdha, mediat dhe linjat ajrore, po përballen me vështirësi pasi u goditën nga një ndërprerje masive e teknologjisë.
Por se ky kaos teknologjik, nuk ka prekur aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Valentina Gara zëdhënëse në ANP tha për Indeksonlinen, se në ANP nuk ka pasur ndonjë ndryshim dhe se janë realizuar të gjitha fluturimet e parapara.
“Deri tani te ne në ANP nuk ka pasur ndonjë pengesë dhe as ndonjë ndryshim. Çdo gjë po operon siç duhet dhe se të gjitha fluturimet janë realizuar sipas planit të paraparë“, tha Gara.
Edhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigimit Ajror, Driton Ujkani, tha për Indeksonlinen se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, sa u përket linjave të komunikimit, pasi që kontrollerët e trafikut ajror janë të trajnuar për ofrimin e sherbimeve dhe nëse ASHNA-ja afektohet nga mungesa e komunikimit.
“Sa i përket sigurisë se fluturimeve, edhe nëse ASHNA-ja afektohet nga mungesa e komunikimit, kontrolloret e trafikut ajror, janë të trajnuar edhe për ofrimin e shërbimit edhe në kushtet e mungesës së komunikimit, me nje siguri maksimale. Keshtu që udhëtarët nuk duhet të shqetësohen, sa u përket rënies së linjave të komunikmit”, tha ai.