Dëshmitari thotë se porosia e miqve ishte t’i përshëndesë krerët e UÇK-së, ZPS interesohet se kush janë

 

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë ka dëshmuar dëshmitari i 89-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) Demush Krasniqi i cili mban kodin 03885 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Demush Krasniqi tha se ka porosi nga miqtë dhe shokët e tij që t’i përshëndeste krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kur e kam marrë ftesën për të ardhur këtu e për të dëshmuar si i ish-UÇK-së kam pas shumë mysafirë, me kanë përcjellë shumë veteranë e në mesin e tyre kisha edhe të fshatrave përreth dhe porosia e tyre ishte që unë personalisht t’i përshëndes krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe deputetin Rexhep Selimin. Ma dhanë këtë porosi miqtë, shokët që unë këtë ta përcjelli dhe se di a mund ta përcjelli ashtu siç me kanë porositur”, tha dëshmitari Krasniqi.

Më pas, lidhur me këtë prokurori pyeti dëshmitarin se kush ishin këta miqtë që e porositën në këtë lloj mënyre. Dëshmitari tha që ata që e përcjellën për të ardhur në Hagë.

Tutje, prokurori pyeti se a iu kujtohen emrat e atyre personave që ia dhanë këtë porosi si dhe a i thanë atij se çfarë duhet të dëshmojë.

“Ishin miq të mi. Ishte dëshira ime që ta përcjelli këtë mesazh”, tha dëshmitari duke shtuar se ai vetë e kishte bërë publike që do të shkonte në Hagë.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për dëshmitarin, mirëpo përpara kësaj, atij iu prezantua një dokument në të cilin ishte emri i tij ku shkruhej ‘Vërejtje për shkak të mungesave’.

“E kisha familjen në Malet e Turjakës. E kisha nënën, gruan dhe gjashtë fëmijë në male dhe ne nganjëherë u detyrohesha të shkoj t’i vizitojë se a kanë ushqim dhe si po jetojnë aty. Nganjëherë vonohesha për t’u kthyer tek shokët e me siguri ka qenë kjo vërejtje e imja. Isha më i vjetri në njësitë dhe për të qenë të ndërgjegjshëm të tjerët e t’i respektojnë rregullat më jepnin mua vërejtje si Demush Laci ta merrni vërejtje që është vonuar e nuk ka ardhur me kohë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari tha se atij i ka mbetur nofka ‘Demush Laci’ për arsye se në fshatin e tij ishin edhe tre Demusha të tjerë.

Ai tha se nuk e din se kur është krijuar Qeveria e përkohshme por që e din se një gjë e tillë kishte ndodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d