Dëshmia tronditëse, Arben Ahmetaj: Ish-lideri im Edi Rama më ngriti pritë

 

 

Përndjekjen politike, kërcënimet e fëmijëve, ngritjen e akuzave nga SPAK dhe sulmet mediatike që iu bënë para largimit nga Shqipëria, Arben Ahmetaj i ka përmbledhur si copat e një puzzle për të përshkruar një komplot kundër tij, të organizuar me bekimin e kryeministrit Edi Rama.

Qëllimi, sipas tij, ka qenë ta bëjnë kokë turku. Ndaj në intervistën e gjatë me Çim Pekën në Syri tv, Ahmetaj ka dalë për t’u kundërpërgjigjur.

“Nuk bëhem unë kokë turku për Ed Ramën. Nuk bëhem për askënd, jo për Ed Ramën. Unë do të mbaj kryqin që më takon në kurriz. Por nuk mbaj kryqin e askujt tjetër” u shpreh Ahmetaj gjatë intervistës.

Ish-zv.kryeministri e ka një shpjegim se përse u përzgjodh ai dhe jo një tjetër në rrethin e ngushtë të kupolës socialiste për t’u ndëshkuar për inceneratorët. Sepse, sipas tij, ai ishte i vetmi zyrtar që nuk firmosi për procedurën e inceneratorëve.

Si i tillë, në rastin e hetimit ndaj tij nuk kish nevojë të hetohej procedura, ku ishin të përfshirë të gjithë ata që kanë firmosur. Për inceneratorin e Tiranës në veçanti, Ahmetaj tha se ngërthehej një aferë korrupsioni që do të llahtariste shqiptarët.

“Po qe se do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Po sigurisht që SPAK nuk e bën këtë”, tha Ahmetaj, që sfidoi SPAK t’i shkojë deri në fund hetimit se ku kanë përfunduar 60 milion eurot që janë paguar për inceneratorin e Tiranës deri në këto momente.

“Pyetjen e kam tek SPAK, ku kanë shkuar 60 milion euro? Ku, kanë shkuar 60 milion ndërkohë që ti ndjek laminatin e kuzhinës së Erjolës dhe pllakat e banjos? Ku janë 60 milion dollarë? Kush qëndron pas? Kush ka dhënë garanci? Kush e ka blerë? Kush është 20%? Le të shikohen këto!” tha Ahmetaj.

Gjatë intervistës prej 2 orësh e gjysëm në Syri Tv, inceneratori i Tiranës ka qenë një temë për të cilën Ahmetaj ka kërkuar të flasë gjatë. Ai shpjegoi se Mirel Mërtiri nuk ishte më pronar i inceneratorit të Tiranës, pasi “biznesin” ia kishin marrë. Ahmetaj ngriti pyetjet se kush fshihet pas një biznesmeni të quajtur Besim Hoxha që ka blerë 40% të inceneratorit dhe përgjigjet do të çojnë tek paratë e vjedhura.

“Unë kam besimin të konsoliduar se Mirel Mërtiri nuk është më pronari. Ja kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ia marrë. Po i pyes gazetarët që rrinë të SPAK, pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës. Besim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri. Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai, sipas letrave që ka nxjerrë Këlliçi. Unë u habita kur i lexova letrat e Këlliçit dhe po bëja pazëllin: Kush qëndron pas këtij njeriu?”, ishin pyetjet që ngriti ish-zv/kryeministri.

Gjurmët që tregon ish-zv.kryeministri i arratisur të cojnë në ato që ai i quan “dy qendrat e Tiranës” kryeministria dhe bashkia e kryeqytetit. Por ndërsa Veliajn e implikon direkt si pronar faktik të inceneratorit të Tiranës, për Edi Ramën lëshoi një akuzë tjetër. Sipas tij, njerëz të afërm të tij janë të përfshirë në Eco Parkun e Durrësit.

“Pse një privat e ka bërë këtë projekt përpara se të shpallej nga kryeministri? Pse në këtë projekt është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit? Pse nuk e ka bërë institucioni publik? Pse u shpall më pas? Në fillim u bë si projekt privat dhe pastaj u shpall publikisht dhe e morën njerëz të lidhur me atë që kishin bërë projektin.

E morën zbatimin e projektit ata që e kishin bërë. Pse u bë pa tender. Pse nuk u nxor një urdhër për rindërtimin, njerëzit ishin jashtë, që të bëheshin pa tender, pse. A kishte më emergjencë? Jo. Pse plehrat dhe ekoparku duheshin bërë pa tender. Pse budalla ka qenë Alqi Bllako që nuk e firmosi?”, tha Ahmetaj në Syri TV.

Për të provuar se Edi Rama ishte në krye të komplotit ndaj tij, Ahmetaj tregoi për një takim që kishte pasur me kryeministrin ku i kishte kërkuar dorëheqjen. Por Rama nuk e kishte pranuar dorëheqjen, sepse në planet e tij kishte thurur një skenar tjetër.

“Unë i thashë jam këtu për besimin që kam pasur të marrëdhënia qe kemi pasur bashkë. Kjo marrëdhënie është përmbysur. Për të mos krijuar probleme politike me dorëheqje, më lër të largohem. Në mënyrën që ka, që nuk përballet, jo po nuk është e vërtetë. Cila ishte arsyeja, të cilën për hir të së vërtetës e kam bashkuar si pazëll pak më vonë. Ishte 24 korrikut, të bënte atë shou për të më shkarkuar gjysëm ore pasi Ilir Meta kishte lënë presidencën dhe Bajram Begaj ishte inauguruar president” tha Ahmetaj.

Ahmetaj mohoi të ketë kaluar dosjen e inceneratorëve tek Ilir Meta, por sipas tij, kjo ishte një fabul që e tregonin Erjon Veliaj dhe Belinda Balluku, por që u përdor nga Edi Rama për të krijuar narrativën që do t’i paraprinte ndëshkimit nga SPAK.

“Teoria e konspiracioni që unë kam dorëzuar dosjen tek Ilir Meta dhe ambasada amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe unë nuk e besoj se Edi Rama e ka besuar, sepse është më i zgjuar se kaq. Këtë histori e ka besuar Lefter Koka dhe Mirel Mërtiri. Dosja dihet publikisht ka qenë pjesë e hetimit të KLSH-së. Por kjo u përdor si justifikim për të gjetur kokën e turkut. Cila ishte koka e turkut? Ishte një njeri që e ka pranuar që ishte mik me Mirel Mërtirin. Po mirë, po ky s’ka marrë pjesë në procedura, por ky nuk ka firmosur. Po ca na duhet se s’ka firmosur. Ne do ta ndërtojmë goditjen e këtij njeriu dal e nga dal, në mënyrë që nxjerrja në pritë politike, të kthehet në vrasje juridike. Dhe cilat janë hapat. Filloi gjithë tymnaja, jo ka dhënë jo nuk ka dhënë dosjen. Unë nuk e mora seriozisht në momentin e parë që e dëgjova. Ish miq të mi mundoheshin në tryeza ta thonin kështu me keqardhje; po si ka mundësi që ky Ben Ahmetaj ja dha dosjen Ilir Metës dhe ambasadës së SHBA. Dmth sikur i vinte keq për mua, si të habitur. Një kultivim i një konspiracioni të gjatë, nuk e besoj se Ed Rama e ka besuar këtë, por Ed Rama e ka përdorur këtë kundër meje për të gjetur një njeri, që sipas tij ti vejë tapë çështjes së inceneratorëve”, tha Ahmetaj.

Ish-zv.kryeministri tregoi se sulmet ndaj tij kanë qenë të gjithanshme. Jo vetëm brenda partisë, jo vetëm duke përdorur prokurorinë, por edhe nëpërmjet sulmeve nga Top Channel me urdhër të Edi Ramës.

Për të qenë më bindës, Ahmetaj tregoi edhe shembuj kur pre e sulmeve me porosi të Top Channel kanë rënë edhe kolegë të tjerë të tij.

“Është bërë Top Story për Ditmir Bushatin, e kanë pranuar vetë, ua ka kërkuar Edi Rama. Është bërë për Fatmir Xhafën, për Niko Peleshin ua ka kërkuar Rama. I kam dërguar haber me një mikun e tij shumë të ngushtë. I kam thënë; ej stop, unë e kuptoj shumë mirë se nuk do të jem pjesë e qeverisë tendë. Ok. E kuptoj shumë mirë që në mbledhje të kryesisë u shkarkova nga Vlora, më kërcënove. Tani po më bllokon derën e shtëpisë time, më ke zënë derën, stop. Shih punën, nuk kam asgjë, dua të ik në punën time. E kam dërguar këtë haber. Koka e turkut, dëshira dhe urrejtja se ndoshta unë jam një format tjetër, e bëri të shkojë deri aty”, tregoi Ahmetaj për Ramën.

Ahmetaj akuzoi Ramën edhe për kërcënimet që kishte marrë me jetë. Kërcënimi i parë ka qenë për të nga njerëz të panjohur. Kërcënimi i dytë ka qenë për jetën e fëmijës së tij në rrugë. Kur ishte ankuar tek Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi se e ndiqnin njerëz të panjohur, ai i ishte përgjigjur “Do jenë njerëz të SPAK”.

“Të jem i sinqertë kur kërcënimi kaloi te gruaja që mbante fëmijën tim, me fëmijën tim tek liqeni, nuk e lashë më të më ikte si me demek trim i madh unë se shkoi te fëmija. Hera e fundit ka qenë tek rrethi tek liqeni, ku kisha shtëpinë me qira. Kanë qenë kërcënime të frymëzuara politikisht. Të thotë kryeministri të vejë të s’ëmës dhe pastaj të dalë e të thotë se po të isha unë gjykatës e prokurori, do ishte më keq, sigurisht për çfarë do më kërcënonin mua. Këtë e kam ndarë me shumë shërbime”, u shpreh Ahmetaj.

Për kreun e SPAK, Altin Dumanin, ish-zv.kryeministri iu referua disa herë si Robespier në shërbim të qeverisë. Ndryshe nga çfarë flitet në Tiranë, sipas Ahmetajt, Dumani ka qenë nën urdhrat e Ramës për ta ndëshkuar.

“Unë vij këtu si një njeri që pas 3 muajsh i është kërkuar të arrestohet. Unë jam një njeri që jam persekutuar familjarisht dhe politikisht. Kam një jetë që punoj për të mos firmosur gjëra që cënojnë integritetin zyrtar, timin personal dhe të familjes time. Ja arriti Edi Rama ta bëjë këtë bashkë me Robespierin. Më nxori në pritë!” u shpreh Ahmetaj./Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d