Një vendim historik e ka cilësuar deputeti ukrainas Oleksej Goncharenko, votën e Asamblesë Parlamentare pro Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai tha se kjo do të thotë që nuk do të ketë më zona gri në Europë dhe shpreson finalizimin e këtij vendimi në KiE.
Goncharenko i bëri po ashtu thirrje Serbisë të shkëpusë lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin.
“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm historik. Po flasim për në vend të 47-të që do të bashkohet me Këshillin e Europës dhe kjo do të thotë që nuk do të ketë më zona gri në Europë, që do të jenë të lumtur të jenë në bashkësinë e vendeve europiane. Është një ndjesi reciproke që nuk e kemi parë në pjesën e politikanëve serbë, prandaj është e rëndësishme për Këshillin e Europës, që të ftojë Kosovën dhe ta ketë Kosovën si shtet anëtar në KiE dhe të ndalë këto situata të paqarta ku Kosova ka ngelur si zonë gri. Unë votova dhe shpresoj që në Këshillin e ministrave ky vendim të finalizohet”.
Sipas deputetit ukrainas Rusia kërkon luftë dhe gjakderdhje në Ballkan.
“Unë i adresova Serbisë jo vetëm për t’u distancuar nga Serbia por e rëndësishme është që të distancohen nga qëllimet imperialiste dhe nga e shkuara. Era e perandorive ka mbaruar, nuk ka vend për perandori ruse, serbe apo tjetër në Europë dhe pasi ta kenë pranuar këtë do kenë marrëdhënie shumë të mira me Kosovën dhe mund të jenë pjesë e botës së lirë. Por para se ta bëjnë do të jenë problem dhe iu bëra thirrje të harrojnë këtë pjesë të historisë dhe të ndërtojnë një vend demokratik, pjesë të botës së lirë se kjo është e vetmja mënyrë të zhvillohen përndryshe do të jenë në kurthin e varfërisë”.
“Rusia kërkon të ketë luftë në Ballkan dhe do ta shtyjë Serbinë ta bëjë këtë dhe mendoj që është e rrezikshme dhe prandaj Serbia duhet të kuptojë që Rusia kërkon kaos në botë dhe gjakderdhje në Ballkan dhe kjo është diçka që ne duhet ta parandalojmë”.