Deputeti i VV-së tregon se pse s’po hapet ura e Ibrit

 

 

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, lidhur me hapjen e urës së Ibrit është shprehur se edhe vetë Bashkimi Evropian ka konstatuar se lëvizja e lirë e automjeteve dhe e qytetarëve është sinjal se situata është e qetë dhe e sigurt atje.

Sipas Dugollit, duke u bazuar në këtë konstatim të BE-së nuk ekzistojnë më rrethanat që nuk kanë qenë në favor të hapjes së urës pasi që strukturat paralele të Serbisë që kanë funksionuar në veri të Kosovës nuk janë më.

“Duke u bazuar edhe në marrëveshjet që kanë ndodhë në të kaluarën, pra është paraparë edhe nga vetë Bashkimi Evropian që ka thënë se lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve është një sinjal i cili na jep për të kuptuar se aty situata është e qetë dhe e sigurt. Edhe nëse i referohemi këtij konstatimi, pra kanë pushuar së ekzistuari edhe rrethanat që e kanë rënduar apo kanë qenë në favor të asaj që mos të jetë e hapur, për shkak se ato strukturat paralele të Serbisë që kanë funksionuar në veri të Kosovës, ato nuk janë më, ato janë krejtësisht ilegale dhe janë në zhdukje e sipër. Pra, ndonëse ne kemi bërë punë të jashtëzakonshme mund të ketë mbetë aty këtu ndonjë individ, por si struktura më nuk ekzistojnë, ato ekzistojnë në Serbi por jo me veprim në Kosovë dhe situata është shumë e qetë. Madje ka kërkesa edhe prej komunitetit serb që ajo urë të jetë e qasshme dhe të ketë lëvizje të lirë të automjeteve”, ka thënë ai në tëvë1.

I pyetur se pse pra nuk po hapet, Dugolli ka thënë janë në komunikim me bashkësinë ndërkombëtare që të largohen automjetet e KFOR-it nga aty për shkak së tashmë siguria është gjithandej dhe nuk ka nevojë për barriera të tilla.

“Është një komunikim që bëhet edhe me bashkësinë ndërkombëtare, ju e keni pa që aty janë dy automjete të KFOR-it e që është një komunikim me ta që edhe ato automjete ka pushu së ekzistuari nevoja  për të qenë aty, për shkak se siguria është gjithandej. Pra lëvizjet e qytetarëve edhe me automjete bëhen edhe në të djathtë edhe në të majtë të asaj ure, prandaj është e palogjikshme dhe e panevojshme që të ketë këso lloj barrierash për qytetarët.  Institucionet janë për të siguruar edhe lëvizjen e lirë edhe të qytetarëve,edhe të automjeteve edhe të mallrave për shkak se ne jemi në demokraci” , ka shtuar deputeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d