Deputeti gjerman: Po presim nëse Vuçiq do t’i respektojë marrëveshjet

 

 

Pas zgjedhjeve po pritet edhe qëndrimi i Vuçiqit për respektimin e marrëveshjeve që do normalizonin raportet Kosovë-Serbi. Deputeti gjerman Thomas Hacker ka thënë që situata e sigurisë vazhdon të jetë shqetësuese në Ballkanin Perëndimor.

Në secilën paraqitje kur flet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq shprehet i rezervuar për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Me këtë hezitim të tij po befasohet deputeti gjerman, Thomas Hacker. Megjithatë ai thotë se duhet të pritet pas zgjedhjeve, nëse Vuçiq e ka seriozisht se nuk do t’i respektojë marrëveshjet e dala nga dialogu.

Hacker konsideron se vetëm përmes një dialogu të sinqertë mund të ketë siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Me të vërtetë situata e sigurisë vazhdon të jetë e ndjeshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ajo çfarë ndodhi në Banjska ishte shumë e rrezikshme kur u sulmua policia e Kosovës, pati edhe të vdekur në mesin e tyre. Këto ngjarje duhet të evitohen në të ardhmen dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për sigurinë e rajonit. Vetëm pak ditë më parë gjatë fushatës elektorale, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se nuk e do e respektojë marrëveshjen me Kosovën, nuk e di nëse ai tha këtë për qëllime politike apo me të vërtetë ky është qëndrimi i tij. Megjithatë duhet të presim edhe pak dhe të shohim se çfarë vendime do të marrë ai”, ka thënë deputeti gjerman.

Tutje, deputeti nga Freedom Democratic Party, konsideron se ka ardhur koha që t’i hiqen masat ndëshkuese Kosovës.

“Nëse Kosova dhe Serbia e kanë ndërmend që një ditë të bëhen pjesë e familjes evropiane, atëherë duhet ta dinë se kjo arrihet vetëm përmes komunikimit dhe normalizimit të marrëdhënieve. Rasti i Gjermanisë është një shembull i mirë, ishte një vend i ndarë në dy shtete dhe morri shumë kohë derisa filluam të kishim një komunikim normal, por ne në fund u bashkuam sërish. Të dyja shtetet duhet të jenë ta barabarta dhe të punojnë sa më shumë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Shpresoj që së shpejti do të largohen edhe masat ndëshkuese për Kosovën sepse me të vërtetë nuk kanë më kuptim, dhe të fillohet me zbatimin e planit franko-gjerman”, është shprehur ai.

Nga Bashkimi Evropian e kanë përsëritur edhe njëherë se Marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese për Kosovën edhe Serbinë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d