Deputeti gjerman: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

 

 

Një tjetër deputet i Bundestagut gjerman po e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropës.

Politikani gjerman nga radhët e të Gjelbërve, Boris Mijatoviq, thotë se Qeveria e Kosovës me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ka bërë një hap të rëndësishëm për t’u anëtarësuar në Këshill, megjithëse siç thotë ai asgjë akoma nuk është garantuar.

Ai thotë se Kosova do ta ketë mbështetjen edhe të qeverisë gjermane në këtë proces.

“Këshilli i Evropës është një institucion shumë i rëndësishëm dhe do të ishte shumë mirë nëse Kosova do të anëtarësohej. Këshilli i Evropës i vë në fokus qytetarët dhe punon për ti mbrojtur të drejtat e tyre. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që qytetaret do të kenë mundësi t’i adresojnë problemet e tyre në Gjykatën Evropiane. Me të vërtet shpresoj që Kosova do t’i siguroj 2/3 e votave për tu bërë pjesë e kësaj organizate. Është një mundësi shumë e mirë për Kosovën por natyrisht që asgjë nuk është e garantuar. Megjithatë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte një vendim i domosdoshëm nga ana e Kosovës. Unë dhe qeveria e Gjermanisë do ta mbështesim Kosovën në këtë proces”, thotë Mijatoviq.

I pyetur për qasjen e Serbisë e cila e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Mijatoviq tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Ai tutje i ka bërë thirrje edhe vendeve tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, të ndryshojnë qëndrim.

“Më anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të përfitonte shumë edhe komuniteti serb. Serbia mund të ketë një mendim tjetër, por Kosovën e kanë njohur nëse nuk jam gabim 119 shtete deri më tani. Në i bëjmë thirrje edhe shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo është mënyra më e mirë për ta pasur paqe dhe stabilitet në Evropë”, deklaroi deputeti gjerman.

Krerët e shtetit serb së fundmi janë shprehur të shqetësuar për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d