Shoferi që shkaktoi aksidentin me fatalitet në nëntor të vitit të kaluar, në rrugën ‘C’ në Prishtinë, ku goditi për vdekje një këmbësore, ka dalë sot para Gjykatës, ku është shpallur aktgjykimi ndaj tij. I akuzuari Melvin Dinaj, 19-vjeçar, është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, trupi gjykues e ka dënuar Dinajn me 3 vjet burgim dhe dhe 5 vjet ndalim vozitje.
Ndryshe, Dinaj akuzohet se më 28 nëntor, teksa po lëvizte me veturën e tij në rrugën ‘C’ e ka goditur këmbësoren Dashurije Gashi, 56-vjeçare, e cila s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.
Gashi, ishte punëtore shëndetësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë.