Dënohen me nga dy vjet burgim tre të akuzuarit për sulmin ndaj Valon Syla

 

 

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka dënuar me nga dy vjet burgim secilin nga tre të akuzuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla. Sipas vendimit të Gjykatës, atyre do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Ata janë dënuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Kërkesa e Sylës për dëmshpërblim prej 30 mijë eurosh është refuzuar nga Gjykata.

Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve, pasi në seancën e kaluar kishin deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në shpallje të aktgjykimit.

Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.

Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d