Dënohen me burg për korrupsion dy zyrtarë të Komunës së Skenderajt – “Prishtina Sot” paralajmëroi me kohë

Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga një vit e gjashtë muaj burgim efektiv dy zyrtarë të Komunës së Skenderajt – drejtorin e Inspekcionit, Valon Haliti, dhe inspektorin komunal Zenë Rushiti – për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, e cila sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës përbën formë të pastër të korrupsionit zyrtar.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Prishtina Sot”, thuhet qartë se zyrtari Valon Haliti, gjatë periudhës 13.06.2023 – 16.08.2023, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe dispozitat për mbikëqyrje ndërtimore, duke lejuar ndërtime të kundërligjshme në rrugën “Emin Lati” nga kompania AndrrA&Sons SH.P.K., pa kontroll ligjor dhe në dëm të sigurisë publike.

Përveç tij, edhe inspektori Zenë Rushiti është shpallur fajtor për lejimin e punimeve ndërtimore pa leje përfundimtare, duke neglizhuar detyrimet e tij si inspektor ndërtimi, çka rezultoi në rrëshqitje të dheut, dëmtime të rrugës publike dhe pronave private të qytetarëve.
Kryetari i komunës, në mbrojtje të kompanisë?

Në kulmin e kësaj ngjarjeje alarmante, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, doli publikisht në mbrojtje të kompanisë që kryente punimet ilegale, duke dhënë një deklaratë që u konsiderua si përçmuese ndaj qytetarëve të dëmtuar dhe shmangie nga përgjegjësia institucionale.
Ai deklaroi se:

“Dheu është hedhur së voni për ata dhe ka rrëshqitur.”

Kjo deklaratë, e dhënë në kohën kur dëmet ishin të dukshme dhe qytetarët kërkonin llogaridhënie, u pa si tentativë për të relativizuar pasojat e krimit dhe për të amnistuar kompaninë në fjalë – e cila sipas aktgjykimit përfitoi nga veprimet e zyrtarëve të komunës.

Gazeta “Prishtina Sot” ka qenë e zëshme dhe e palodhshme në denoncimin e shkeljeve të ndodhura në këtë rast. Për më shumë se një vit, kemi raportuar gati çdo ditë për ndërhyrjet e paligjshme që ndodhnin para syve të komunës dhe heshtjes së strukturave vendimmarrëse.
Bazuar në raportimet tona dhe provat e ofruara, është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit, i cili përfundimisht u përmbyll me këtë vendim gjyqësor të rëndësishëm.
“Prishtina Sot” do të vazhdojë të raportojë me përgjegjësi për çdo abuzim me pushtetin dhe çdo rast që rrezikon interesin publik.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d