Deklarata e Prokurorisë dhe detaje tjera për spiunazh dhe bashkëpunim me BIA-n serbe

 

 

Dy persona janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj me dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me “BIA”-n e Serbisë. Pas arrestimit të tyre, Prokuroria Speciale ka dal me informacione shtesë. Dy të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, shqiptarë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Të arrestuarit janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.

E Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave në Ferizaj nën dyshimin për spiunim për BIA-n serbe.

Dogana njofton se personi Bedri Shabani i dyshuar në këtë rast, është pushuar nga pozita e tij në këtë institucion 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.

Shkarkimi i tij sipas doganës kishte ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.

“Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në sqarim.

Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.

“Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”, përfundon komunikata për media.

Ndryshe, njëri prej të arrestuarve, Bedri Shabani, ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.

Telegrafi ka gjetur komunikatën e Doganës të publikuar me 05 shkurt 2004.

Sipas Shërbimit Doganor të Kosovës, Bedri Shabani, është larguar nga puna me arsyetim se ka dhënë deklaratë të pa-autorizuar për një televizion francez, si dhe ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB, Kofi Ananit me të cilën akuzon Shërbimin Doganor, që bie ndesh me Kodin e Mirësjelljes së Shërbimit Doganor të UNMIK-ut dhe udhëzimet e lëshuara nga drejtori gjeneral, shkruan në vendimin për largim nga puna të Bedri Shabanit, të nënshkruar nga zëvendës drejtori gjeneral, Jonathan Amos.

Mirëpo, Shabani e kishte mohuar të ketë dhënë intervistë për ndonjë televizion francez, kurse për akuzën e dytë, ai thotë se “Sa i përket letrës, Kofi Ananit i jam drejtuar jo vetëm një herë, por edhe herëve tjera për një pasqyrë të shkurtër se çka ndodhë me Doganat e UNMIK-ut.

Por, çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.

Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.

Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:

– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;

– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim;

– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.

Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.

Kosova e ka Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë qëllim i të cilit është “themelimi i një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës si dhe për verifikimin e sigurisë së personave që kanë qasje në këto informacione”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d