Debati për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, ngjarja kryesore e sesionit pranveror në Asamblenë Parlamentare

 

 

Kërkesa e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës do të jetë puna kryesore e këtij sesioni pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kështu ka njoftuar Asambleja në një përditësim të fundit të agjendës së saj.

“Një debat mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një ngjarja kryesore e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), që do të mbahet në Strasburg më 15-19 prill 2024”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, APKE do të ketë në agjendë edhe një debat të përbashkët mbi “vdekjen e Alexei Navalny dhe nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putin dhe luftës së tij kundër demokracisë, si dhe një sërë çështjet të tjera.

Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d