Në fshatin Brazdë, në gjysmë të rrugës për në aeroportin sportiv të Stenkovec, janë gjurmët e makinës së djegur të atyre që vranë 14 vjeçaren, Vanja Gjorçevska.
Vendi mund të arrihet vetëm nga një rrugë me baltë, të cilën pak njerëz e dinë, madje edhe vendasit nga Brazda nuk e dinë vendndodhjen e saktë, shkruan Sinjali.
Në rrugën lokale për në fshatin Brazdë nuk ka shumë trafik dhe në dy vende ka një kthesë që të çon në lokacionin ku ka mbetur e djegur vetura.
Kjo është rruga në të cilën lëvizën autorët e krimit ndaj 14-vjeçares.
Sipas informacioneve zyrtare nga hetimi, trupi i Vanja Gjorçevska është varrosur pranë veturës së djegur, në arat e fshatit Brazdë, në drejtim të aeroportit sportiv të Stenkovec.
Kujtojmë se vrasja e vajzës lidhet me vrasjen e një 74-vjeçari. Siç njoftoi Prokuroria e Shtetit maqedonas, është konstatuar se vajza është vrarë të hënën në mëngjes, rreth orës 10:00, vetëm pak orë pas rrëmbimit.
Ndërkaq nga raportimet e fundit që vijnë nga Ministria e punëve të brendshme e Maqedonisë thuhet se babai i 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, trupi i pajetë i së cilës u gjet dje në rrethinën e Shkupit, ishte përfshirë në organizimin e rrëmbimit të vajzës për të zhvatur para nga nëna e të miturës.