Dalin pamjet e arrestimit të katër serbëve që ofenduan dhe sulmuan policinë në Veri

 

 

Nëpër rrjete sociale po qarkullojnë pamje teksa Policia e Kosovës arreston disa persona në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këtë kanë dhënë sqarime vetë Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se bëhet fjalë për arrestimin e ndodhur mbrëmë në Veri të Mitrovicës ku katër persona të nacionalitetit serb janë vënë nën pranga pasi kanë fyer dhe kanë sulmuar dy pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Personat e arrestuar janë  R.N, L.K, V.J dhe M.M.

Petrit Fejza nga Policia e Kosovës ka thënë për Express se duke qenë se personat e arrestuar kanë qenë nën ndikim të alkoolit, ata s’kanë mundur të intervistohen mbrëmë dhe se procesi i intervistimit do të kryhet sot.

“Duke qenë se kanë qenë nën ndikimin e alkoolit, mbrëmë nuk kanë mundur të bëjnë deklaratë. Për këtë arsye ata janë ndaluar, ndaj deklaratat e tyre për këtë ngjarje do të merren sot. Pas kësaj do të vendoset se çfarë do të bëjmë më pas”, ka thënë Fejza.

Të arrestuarit aktualisht ndodhen në stacion në Mitrovicën Jugore. Si rezultat i ngjarjes, njëri nga policët ka pësuar lëndime trupore.

Për pretendimet se policia ka rrahur të arrestuarit, Fejza ka sqaruar se në momentin që një i arrestuar bën rezistencë apo tenton të arratiset, atëherë policia ka të drejtë të përdor forcën.

“Në ato video që u shfaqën, shihet se askush nuk i rrah, por po mundohen të pengojnë policinë që t’i arrestojë”, ka thënë Fejza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d