Cili është roli i Postës së Serbisë për serbët e Kosovës?

 

 

Pjesëtarët e komunitetit serb në katër komuna në veri të Kosovës nuk kanë mundur të përdorin shërbimet postare dhe financiare të Postës së Serbisë që nga 5 gushti.

Kjo për shkak se nëntë degë të kësaj kompanie në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë mbyllur.

Arsyetimi i autoriteteve kosovare është se Posta e Serbisë nuk është e licencuar për të bërë biznes në Kosovë.

Disa nga shërbimet financiare që ofron Posta e Serbisë në Kosovë janë pagesa të ndryshme me porosi të institucioneve që punojnë në sistemin serb, dërgimi i parave, pagesa e faturave në sistemin serb, pagesa e sigurimit të veturës e të ngjashme.

Gjithashtu, në sportelet e Postës, qytetarëve u janë paguar edhe disa përfitime nga buxheti i Serbisë, si përfitime sociale, kompensim për fëmijë apo pensione.

Pagimi i këtyre përfitimeve ka qenë i vështirë që nga fillimi i vitit për shkak se me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës është hequr nga përdorimi dinari, valuta zyrtare e Serbisë.

Ka edhe shërbime postare që përdoren nga qytetarët apo institucionet, si dërgimi dhe pranimi i letrave, kartolinave, telegrameve e të ngjashme.

Ish-drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë sqaron se mbyllja e këtyre zyrave do ta vështirësojë komunikimin e pjesëtarëve të komunitetit serb me Serbinë dhe shtetet tjera.

Ai vëren se shërbimet e Postës në sistemin serb i kanë shfrytëzuar edhe shqiptarët dhe vlerëson se funksionimi i kësaj kompanie është dashur të zgjidhet kohë më parë me autoritetet kosovare.

Pas konfliktit në Kosovë në vitin 1999, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku jetojnë serbët dhe vazhdoi financimin e tyre. Supozohej se me integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës përmes një marrëveshjeje në kuadër të dialogut, institucionet e Serbisë në Kosovë do të shfuqizoheshin. Megjithatë, kjo nuk ndodhi kurrë.

Kosova nuk i njeh këto institucione dhe i konsideron të paligjshme, por deri më tani askush nuk ka tentuar t’i mbyllë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d