“Burra” me të kaluar kriminale që vranë gratë – Si u vonuan organet e sigurisë për t’i mbrojtur ato

 

 

Dy vrasje të grave nga burrat e tyre ndodhën për më pak se një javë në vendin tonë. Vrasja e grave nga burrat e tyre në shumë raste po ndodhë pasi që viktimat po e raportojnë dhunën në institucionet e sigurisë.

Dështimi për dënimin e dhunuesve e mbi të gjitha të mbrojtjes së viktimave, po prodhon pasoja fatale për gratë kosovare.

Edhe rasti i sotëm në Pejë, ku mbeti e vrarë Gjyljeta Ukella, është i tillë. Në vitin 2021, i dyshuari për vrasjen e gruas së tij, Edmond Lajqi, ishtë dënuar për dhunë në familje. Dënimi ndaj tij ishte qesharak: 400 euro gjobë.

Rasti i ngjashëm ndodhi edhe të premtën e kaluar, ku mbeti e vrarë 21 vjeçarja, Erona Cokli nga ish bashkëshorti i saj 36 vjeçar Valon Aliu në njërën nga zyret e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Ndaj Valon Aliut ekziston dyshimi se me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën Erona Cokli, me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe duke plagosur në krah vëllain e të ndjerës.

Edhe në këtë rast i dyshuari Valon Aliu është emer i njohur për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Atij i figurojnë disa dosje penale në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Madje ndaj tij ka vendime edhe nga gjykata.

Valon Aliu kishte pasur gjashtë raste penale për vepra të ndryshme kriminale përgjatë periudhës 2008 – 2023. Ndër to rrahje, kanosje, dhe nxitjen e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë, mirëpo kjo aktakuzë ishte refuzuar nga Gjykata.

Në duart e shtetit në nëntor të vitit 2022 mbeti e vrarë edhe 35 vjeçarja, Hamide Magashi nga ish-bashkëshorti i saj Sokol Hamiti.

Hamide Magashi, e cila ishte në mbrojtjen e policisë pasi që gjykata kishte lëshuar urdhër për mbrojtjen e saj, pas dhunës së ushtruar nga Sokol Halili, i cili kishte edhe aktakuzë për kanosje ndaj saj – u vra në oborrin e QKUK-së ku pritej ta sillte në jetë foshnjën e saj.

Organet e drejtësisë në Kosovë, kanë qenë të informuara që nga muaji korrik se Sokol Halili po ushtronte dhunë mizore ndaj gruas së tij Hamide Magashi.

35 vjeçarja Magashi, ishte në përcjellje të Policisë së Kosovës, pasi zyrtarisht gjykata kishte lëshuar urdhërmbrojtje ndaj saj, vendim ky që do të duhej të ekzekutohej nga Policia e Lipjanit. Ndërsa ndaj Sokol Halilit ishte ngritur aktakuzë për kanosjen e 35 vjeçares, qysh në muajin gusht.

Në duar të shtetit u vra edhe Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj Klara 9 vjeçare.

Në mëshirë të vrasësit shteti i pati lënë Valbonën 34 vjeçare, e Klarës atëherë 9 vjeçare, e katër fëmijët e tjerë që nga momenti që e kishte liruar nga paraburgimi, Pjetër Ndrecajn pasi që Valbona kishte vendosur që ndahej nga ai pas dhunës së vazhdueshme që përjetonte.

Policia dhe Prokuroria, kishin qenë në dijeni për rastin e tyre. Ndrecaj kishte qenë në paraburgim nga data 12 maj deri me 6 qershor të vitit 2018, për dhunën që i kishte shkaktuar Valbonës.

Qifti jetonin të ndarë prej disa muajsh, derisa tre nga pesë fëmijët jetonin me nënën dy tjetër jetonin me të. Pasi që u morën nga nëna e tyre nga dy policë në Gjakovë ndonëse nuk kishte asnjë urdhër nga gjykata për këtë.

Në ditën kritike, disa orë para se Ndrecaj të qëllonte me automatik duke i lënë të vdekura gruan dhe vajzën e tij, i kishte dërguar një mesazh kërcënues në telefon gruas. Valbona Ndrecaj ishte ankuar në polici për kërcënimin, por shteti nuk i doli në mbrojtje. Policia pati shkuar deri në shtëpinë e kërcënuesit por meqë nuk e kishte gjetur aty, e kishte lënë të lirë.

“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhemb zemra” i kishte shkruar ai Valbonës.

Vetëm kaq ka bërë policia e prokuroria atë ditë për Valbonën.

Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë ndërsa vajza Klara ishte goditur prapa veshit.

Edhe Sebahate Morina Sopi u vra 11 ditë pasi kishte raportuar dhunën që përjetonte nga bashkëshorti, Lulzim Sopi, i cili më pas u vetëvra.

Ngjarja ndodhi në vitin 2021 në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë.

Në fillim të vitit 2022 ishte vrarë edhe Lirie Qerimaj me armë zjarri në shtëpinë e saj në Llaushë të Skënderajt, nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.

Vetëm pse ditë para se ajo të vritej nga burri i saj, e kishte lajmëruar në polici për dhunë, duke kërkuar ndihmë nga dora e shtetit. Por këtë fatkeqësisht nuk e mori. Kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, me 5 janar. Përveç saj, rastin në polici e kishte lajmëruar edhe djali i saj, duke njoftuar organet e rendit se nëna e tij kishte dhunë psikike të vazhdueshme nga babai i tij, Skender Qerimaj.

Mbi 12 thyerje, dhunë seksuale, rrahje brutale e vrasje përjetoi trupi i Marigona Osmanit.

18 vjeçarja në vitin 2021 u dhuna seksualisht e në mënyrë mizore, u rrah brutalisht e në fund u vra nga i dashuri i saj Dadan Krivaça e Arbër Sejdiu, në banesën e tyre në Ferizaj.

Osmani nuk mundi tu bëjë ballë krimeve të tmerrshme që u bënë në trupin e saj nga Krivaça e Sejdiu.

Sipas prokurorisë, Krivaça pa pëlqimin e Marigonës e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale deri në atë masë sa e ndjera edhe humbi aftësinë për të rezistuar.

Krivaqa nuk është person i panjohur për sistemin e drejtësisë. Sipas burimeve ai ka plot 122 vepra kriminale.

Veprat për të cilat dyshohet Krivaqa janë si vijon: 11 raste për grabitje, 93 raste të vjedhjes dhe vjedhjes së rëndë, 1 rast dhunimi, 12 raste pranimi të gjërave të vjedhura, si dhe pesë lëndime trupore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d