Bota kremton Fitër Bajramin, palestinezët falen mes gërmadhash: Na shkatërruan xhamitë

 

 

Myslimanët në mbarë botë festojnë sot festojnë sot Fiter Bajramin, apo Bajramin e madh, një manifestim falenderimi për Zotin siç përshkruhet pas muajit të shenjtë të Ramazanit

Gjatë 30 ditëve të Ramazanit, myslimanëve u kërkohet të agjërojnë, të tregojnë mirësi dhe durim, si dhe t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin. Fitër Bajrami që pason, zgjat tre ditë. Lutjet e kësaj dite të bekuar për ta, myslimanët në Rafah të Gazës, i kryen mes gërmadhash.

“Me të zbardhur dita erdhëm e u falëm në rrënojat e kësaj xhamie dhe në rrugë. Pushtimi izraelit ua hoqi palestinezëve edhe të drejtën të falen në xhamitë e tyre”, tha një palestinez që jeton në Rafah.

“Gjatë Bajramit të vitit të kaluar nuk kishte luftë. Sot po hyjmë në muajin e shtatë të luftës. Xhamia Al Farouq vitin e kaluar ishte ende këtu, por këtë vit u vu në shënjestër dy ose tre javë para fillimit të Ramazanit”, tha një palestinez tjetër.

Në Jemen po ashtu, kremtimet e Fiter Bajramit u errësuan nga tragjedia e Gazës.

“Nuk ka gëzim për Jemenin dhe për arabët përsa kohë Gaza është pllakosur nga katastrofa. Ne nuk e konsiderojmë këtë një bajram gëzimi, por më shumë një ditë të trishtë për vëllezërit tanë palestinezë në Gaza”, tha një banor tjetër.

Në mesin e konfliktit, mjaft palestinezë iu drejtuan xhamisë Al Aksa në Jerzalem, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit për të shënuar fundin e muajit të Ramazanit. Situata e Gazës nuk eklipsoi sakaq festimet në Stamboll, ku me qindra besimtarë u mblodhën përpara Hagia Sofisë për të mirëpritur Bajramin e Madh. Xhamia e madhe e Mekës gëlonte po ashtu nga njerëzit, në Pakistan turmat vërshuan në xhaminë e epokës Mugale Badshahi të qytetit Lahore, në Kabul të Afganistanit masat e sigurisë ishin ashpërsuar me qeverinë talebane që kishte ngritur pika kontrolli shtesë, ndërsa në Indonezi nuk munguan festimet në rrugë e fishekzjarret.

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam./TCH

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d