Biznesmeni nga Prizreni, Granit Paqarizi, i njohur për organet e rendit për shkak të të kaluarës së tij kriminale, ndodhet nën masën e ndalimit policor. 38-vjeçari këtë herë dyshohet për veprën penale “Dhunimi”, që dyshohet se e ka kryer para disa ditësh në një motel në Fushë Kosovë. Gazeta raportoi mbrëmë ekskluzivisht për arrestimin dhe ndalimin e Paqarizit, i cili rrezikon të përfundojë prapa grilave për një muaj.
Siç merr vesh Gazeta, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përgatitur kërkesën për masën e sigurisë, e cila pritet që të dorëzohet në Gjykatë dhe brenda afatit ligjor Paqarizi të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Paqarizi rrezikon të përfundojë në paraburgim për këtë vepër penale, për të cilën parashihet dënimi me burgim prej dy deri në dhjetë vjet.
Çka dihet për rastin e fundit?
Një denoncim i bërë nga një 21-vjeçare para disa ditësh, e cila kërkoi ndihmën e Policisë nën pretendimet se është viktimë e dhunës seksuale, aktivizoi Policinë e Kosovës. Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se Granit Paqarizi ishte personi që u raportua si i dyshuar për këtë rast të dhunimit.
Rasti dyshohet se ka ndodhur në motelin “Diamonds” në Fushë Kosovë dhe më tronditëse është se Paqarizi dyshohet se pa pëlqimin e saj, ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pasi fillimisht e joshi duke i thënë se gjithçka ishte masazh.
Gazetamëson se nuk dihet se si biznesmeni ka përfunduar në motel me vajzën, e cila është një mërgimtare – por ajo që dihet është se dyshohet se e keqtrajtoi seksualisht dhe më pas u largua.
Raportimi i viktimës vuri në lëvizje njësitet përkatëse dhe si rezultat vajza u dërgua për ekzaminimet e nevojshme mjekësore, ndërsa Hetimet Rajonale arritën ta identifikojnë personin e dyshuar.
Policia i shkoi gjatë ditës së djeshme biznesmenit edhe në shtëpinë e tij në Prizren, por nuk u gjet atje, teksa kërkimet për ta kapur vazhduan. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se tek dje është siguruar prezenca e tij dhe i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Granit Paqarizi është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Kush është Granit Paqarizi dhe cilat janë rastet që është përfshirë ndër vite?
Para dy vitesh, Granit Paqarizi, që është i afërt me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, kishte kërcënuar drejtorin e Shërbimeve Publike dhe stafin e tij, në Komunën e Prizrenit, për shkak të një tenderi. Në prill 2022, ai u arrestua dhe ndaj tij nisën hetimet për këtë rast.
Një muaj më pas, në maj, Paqarizi u arrestua sërish për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”, ku viktimë ishte fqinji i tij. Gjykata ia kishte caktuar masën e paraburgimit duke u arsyetuar se edhe në të kaluarën ka qenë i dënuar me aktgjykime të plotfuqishme dhe përsëritës i veprave penale të ngjashme.
Paçarizi vite më parë, ishte përfshirë në një përleshje masive, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, incidenti përfundoi me plaosje.
Ai ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor. Por, rasti ishte rihapur, duke e akuzuar kështu Paçarizin për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.
Për kryerjen e kësaj vepre penale, ai ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe ishte dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.
Ndërkaq më 1 janar të vitit 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një dekreti i kishte falur me një vit burg, tre personave të dënuar për vepra të ndryshme penale ku në këtë falje ishte edhe Granit Paçarizi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.