Bislim Zyrapi zgjohet pas disa ditësh nga koma, pësoi sulm në zemër

 

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi po e merr veten pas një sulmi në zemër që ka pësuar së fundmi.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili i shkoi mbrëmjen e së martës për vizitë Zyrapit në shtëpinë e tij.

“Mbrëmë, e vizitova Gjeneral Bislim Zyrapin, i cili po e merr veten pas një sulmi në zemër së fundmi, ndërkohë që është në terapi të dializës. Pasi i ka kaluar disa ditë në gjendje kome dhe i intubuar, General Zyrapi është zgjuar duke u kthyer në jetë dhe tani po i përmirësohet shëndeti”, tha Kurti.

Bashkë me Kurtin, në vizitë te Zyrapi ishin edhe zëvendësministri i mbrojtjes Shemsi Syla dhe këshilltari i tij politik Hajriz Sejdiu.

Kurti, tha se me Zyrapin ishte takuar disa herë gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

“Me Gjeneral Bislim Zyrapin jemi takuar disa herë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në ato kohëra të vështira por edhe të lavdishme. E kujtoj veçanërisht natën e 31 dhjetorit 1998, kur me Gjeneral Zyrapin dhe me luftëtarë e bashkëpunëtorë të tjerë, e patëm pritur bashkë vitin e ri 1999 në Nekovc të Drenasit”, tha Kurti.

Bislim Zyrapi ka qenë Shef i Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyrapi ka luftuar edhe në luftën e Bosnjë e Hercegovinës, si komandant i një njësie speciale gjatë gjithë periudhës gati katër vjeçare të rrethimit të Sarajevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d