Ndeshjes Shqipëri-Kroaci i ka kushtuar një artikull edhe prestigjiozja britanike BBC.
Sipas BBC, kjo përballje ishte padyshim ndër më të mirat e këtij kampionati europian.
Për kuqezinjtë thotë se luftuan deri në fund dhe e merituan këtë barazim.
Shkrimi i BBC:
Shqipëria shënoi një barazim dramatik në minutat e fundit për t’i mohuar Kroacisë një fitore, gjë që dëmton rëndë shpresat e finalistëve të Kupës së Botës 2018 për të arritur në fazën eliminatore të Euro 2024.
Në atë që ishte një fund kaotik, por argëtues i lojës, shqiptarët shpëtuan një pikë kur Klaus Gjasula shënoi në minutën e 95-të. Deri në atë moment tifozët shqiptarë ishin zemërthyer…
Ishte Qazim Laçi ai i cili goditi në minutën e 11-të dhe skuadra e tij më pas u mbrojt në mënyrë të shkëlqyer për më shumë se një orë. Por Kroacia përmbysi lojën në mënyrë të pabesueshme kur ish-sulmuesi i Leicester-it, Andrej Kramaric, shënoi golin e barazimit. E pak minuta më vonë, gjuajtja e Luka Sucic të devijonte nga Gjasula për në rrjetën e Shqipërisë.
Kroacisë tani do t’i duhet të mundë kampionët në fuqi, Italinë në ndeshjen e fundit të Grupit B për të pasur një shans për të përparuar. Ndërsa Shqipëria përballet me një provë të vështirë në ndeshjen e radhës kundër Spanjës. Megjithatë dita e sotme do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve.
Ka pasur disa ndeshje jashtëzakonisht argëtuese në këtë kampionat evropian dhe kjo është ndër më të mirat! Kjo më së shumti prej Shqipërisë dhe vendosmërisë së saj në Gjermani për të treguar se nuk janë aty vetëm për shifra.
Është hera e dytë që ata luajnë në Euro, pas kualifikimit në 2016 dhe padyshim ky rikthim po shfrytëzohet maksimalisht.
Në Hamburg, tifozët mbushën stadiumin dhe euforia e tyre ishte e pabesueshme. Një energji që u transferua te lojtarët, futbolli i shpejtë i të cilëve tronditi Kroacinë. Epërsia e tyre në pjesën e parë ishte plotësisht e merituar!
Kur Kroacia shënoi dy gola, do të ketë ndezur një ndjenjë deja vu në mesin e tifozëve shqiptarë, Italinë e para pak ditëve. Por këtë herë ata nuk u mposhtën, përkundrazi luftuan fort për barazimin. Gjasula mori shpërblimin e skuadrës luftarake deri në minutat e fundit.