Me rastin e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, një “investim i madh që do të shërbejë për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës ajrore”, ka folur presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ndër të tjera ka folur edhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Begaj e përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, me ç’rast tha se siguria është e brishtë, prandaj duhet të jemi të gatshëm për të mbrojtur veten”.
“Konfrontimet politike ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen dhe kjo u pa më së miri në shtatorin e kaluar, në sulmin terrorist të Banjskës në Kosovë. Ai sulm tregoi sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet të një kaluare që nuk duhet të kthehet më.
Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten dhe për kontribuuar në aleancë.
Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës, si një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotshme dhe të nesërme.”