Bakoyannis: Asnjë kandidati s’i janë kërkuar kaq shumë reforma sikur Kosovës për KiE

 

 

Deputetja greke që përpiloi raportin pozitiv për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, Dora Bakoyannis, ka thënë se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në organizatë.

“Për të ardhur tek opinioni pozitiv janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”.

Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka shkruar Bakoyannis në një artikull autorial për “European Western Balkans”.

“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”.

Bakoyannis ka shkruar për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb. Duke mbrojtur raportin e vet me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.

“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada, i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ndër tjerash ajo.

Bakoyannis ka përsëritur se në raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës duke thënë se po t’i kërkohej të shprehte mendim për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e raportit, pasi vjen nga Greqia që nuk e njeh Kosovën.

Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.

Raporti pozitiv i Bakoyannisit për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës pati marrë shumicën e votave në Asamblenë Parlamentare në prill.

Tani pritet që për dy javë të mbahet votimi final në Komitetin e Ministrave. Duhen 2/3 e votave për t’u pranuar si anëtare e plotë. Janë 46 shtete anëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d