Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për keqqeverisje në ekonomi dhe sektorë të tjerë, për çka thotë se kryeministri duhet të japë dorëheqje.
Bajrami potencon se gjatë qeverisjes së qeverisë Kurti, “ekonomia ka degraduar”.
Bajrami si dështime të tjera përmend rritjen e inflacionit, ikjen masive të qytetarëve nga vendi, sanksionet e BE-së e të tjera.
“Lista e dështimeve është shumë e gjatë, qeveria Kurti dhe zotëri Kurti me qeverisjen e tij të shumicës nuk ka arritur të përmbushë as edhe një premtim në bazë të të cilave ai ka ardhur në qeverisje. Ekonomia ka degraduar tej mase. Ne kemi pasur një inflacion galopant përderisa nuk kemi pasur indeksim të pagave dhe të pensioneve, nuk po flas për rritje por të paktën indeksim konform normës së inflacionit. Investimet kapitale kanë qenë më të ulëta ndonjëherë në 10-vjeçarin e fundit. Gjithashtu, nuk kemi pasur investime të huaja të direkte “, thotë Bajrami.
Bajrami konsideron se humbja më e madhe për ekonominë e vendit, është ikja e klasës punëtore.
“Ne kemi mbi një vit që jemi mbi masa ndëshkuese të Bashkësisë Evropiane. Janë mbi 300 milionë euro projekte të financuar me fonde të IPA-së me fonde WB-EDIF, me fonde të donatorëve bilateral të cilat nuk janë duke u ekzekutuar. Humbja më e madhe për ekonominë e vendit është ikja e qytetarëve, ikja e klasës punëtore”, potencon Bajrami.
Derisa rendit disa nga dështimet sipas saj të qeverisë aktuale, Bajrami kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti. Ajo thotë se janë të gatshëm për zgjedhje, derisa shprehet e bindur se do të dalin të parët.