Profesori Ferhat Bejtullahi, mbrëmjen e 2 dhjetorit, po bënte si zakonisht rrugën nga vendi i punës së tij, kolegji UBT, për në banesën e tij. Por, në rrugën “Bill Klinton”, afër vendit të tij të punës një shofer i papërgjegjshëm e shtypi me veturë. Bejtullahu, një profesor i respektuar në lëmin e tij, vdiq pak orë më vonë nga plagët e marra nga ky aksident.
Çdokush do të mendonte se shoferi i papërgjegjshëm tashmë është në qendrën e paraburgimit, duke vuajtur 30 ditëshin e parë të ndëshkimit për krimin e bërë. Por, kjo nuk ka ndodhur.Njeriu që e mbyti profesorin Bejtullahu rastisi të jetë djali i një biznesmeni të fuqishëm. I një multimilioneri.Nuk vuajti asnjë natë në burg. është i lirë që nga nata kur kreu krimin. Që nga 3 dhjetori.
I dyshuari për shkaktimin e aksidentit vdekjeprurës të profesorit është Vullnet Gashi, djali i biznesmenit Burim Gashi.Biznesmeni Burim Gashi është i njohur për lidhjet e tij të fuqishme me politikën e me grupe të fuqishme të interesit. Ka përfituar një varg benefitesh nga fondet publike. Është pronar i firmës “Agro Llapi”.
Për rastin detaje kishte dhënë edhe Policia e Kosovës, ditën tragjike.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, bënte me dije se këmbësori ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ishte dërguar për tretman mjekësor.
“Rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësori dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, thuhej tutje në konfirmim.
Një ditë pas, policia përmes raportit 24 orësh konfirmonte se viktima, në këtë rast profesori Bejtullahu kishte ndërruar jetë në QKUK.
“I dyshuari është shoqëruar në polici”, konfirmonin nga policia por ka mjaftuar vetëm intervistimi i tij dhe asnjë masë tjetër nuk është ndërmarrë kundër djalit të biznesmenit.
Për atë se si u bë që djali i biznesmenit të lirohet pa mbajtur asnjë ditë burg, Gazeta kontaktoi Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Mediumi në fjalë raporton se po ashtu ka insistuar që një përgjigje të marrë edhe nga biznesmeni, Burim Gashi por i njëjti nuk është përgjigjur./PrishtinaSot/