Arsimtari nga Lipjani i denoncuar për ngacmim të nxënëses flet, e quan ‘keqkuptim të madh’ rastin

 

 

Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për një rast të ngacmimit seksual, që është denoncuar para disa ditësh nga prindi i një vajze 13-vjeçare në Lipjan. Babai i të miturës e ka akuzuar një mësimdhënës të vajzës se e ka ngacmuar seksualisht gjatë orës mësimore. Arsimtari i dyshuar i shkollës fillore “Vezir Kolshi” në fshatin Resinoc të Lipjanit është intervistuar dhe është lënë i lirë.

Sinjali ka arritur të bie në kontakt me mësimdhënësin që po dyshohet për këtë rast, i cili ka dhënë versionin e tij lidhur me këtë ngjarje, që e quan një “keqkuptim të madh” nga ana e prindit të nxënëses.

Rasti që po pretendohet se ka ndodhur më 5 mars, është raportuar pas pesë ditësh nga prindi i nxënëses, i cili e ka denoncuar mësimdhënësin (emër i njohur për redaksinë) se e ka ngacmuar seksualisht të bijën e tij.

Në një prononcim për Sinjalin, arsimtari në fjalë ka deklaruar se gjithçka lidhet me një kërkesë të tij drejtuar nxënësve, për të mos shkuar në shkollë me pantallona të grisura dhe qëllimi i tij ka qenë edukativ.

Ai insistoi se e vërteta do të dalë në shesh, duke u arsyetuar se s’ka prova për rastin, prandaj i njëjti është i lirë pasi është intervistuar në Polici dhe kjo sipas tij do të dëshmohet edhe në Prokurori e Gjykatë.

“Jam një arsimtar që kam punu gjatë dhe jam një familjar, e as që ka ashtu siç është raportu. Unë nëse i kam thënë jo veç asaj, personit në fjalë por edhe nxënësve të tjerë, mos ejani me pantolla të grisur, apo të shqyera, apo me rroba të shkurta, që osht edhe Kodi i Mirësjelljes së shkollës. Ata anxënës i konsideroj si fëmijët e mi dhe kam dhënë konbtribut të jashtëzakonshëm me ta, prej që ka fillu. Qëllimi im ka qenë qëllim edukativo arsimor, betohen në  Zot dhe në betimin e mësuesit, që asnjë qëllim tjetër nuk kam pasur.

Nuk përputhen gjërat, e vërteta është nga ana ime. Më 5 mars ka ndodhur rasti, më datën 10 është raportuar.

Po, jam intervistuar në Polici dhe këto fjalë që t’i thash ty, edhe aty i thash. Mirë që është iniciuar rasti sepse e vërteta do të dalë dhe do të shihet edhe në Prokurori e Gjykatë. Nuk është ngacmu kurrë vajza. Nuk e di si e konsiderojnë ata, por kjo është një keqkuptim i madh. “ – tha ai për Sinjalin.

Në rrëfimin e tij, mësimdhënësi e përmend se rasti ka ndodhur derisa i njëjti ishte bashkë me klasën e vajzës duke mbajtur një orë të edukatës fizike, edhe pse i njëjti nuk është profesor i kësaj lënde.

“Iu kam thënë mos ejani kështu, jo vetëm asaj por edhe të tjerëve. Ky ka qenë për qëllim edukativ. S’ka prova, s’ka. Unë atë ditë mu kanë lutë fëmijët me i qitë një orë në edukatë fizike. Ishin bo monotonë nxënësat, m’u lutën. Iu thash po bre bon, dolëm e lujtëm volejbol bashkërishit me atë klasë. Asgjë të keqe s’ka pasë.” – përfundoi ai.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës, me ç’rast është konfirmuar se Prokurori ka urdhëruar që rasti të hetohet në procedurë të rregullt.

“NGACMIM SEKSUAL Lipjan 05.03.2024-10:20. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d