Arrestohet në Shqipëri pronari i një lokali në Prishtinë, i akuzuar për trafikim personash

 

 

Dodë Rica është arrestuar në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, raportojnë mediet në Shqipëri.

Policia e Durrësit ka njoftuar se 47-vjeçari, pronar i një lokali nate në Prishtinë, akuzohej në Kosovë për trafikim personash.Ndaj Ricajt, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar masën e arrestimit, për veprën penale “Trafikim personash”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi.

“Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, të DVP Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Dodë Rica, 47 vjeç, i lindur në Mirditë”, thuhet në raportin zyrtar policor.

Rica akuzohet gjithashtu se ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 36 mijë e 389 euro e 24 centë, përmes biznesit të tij “Shqiponja Strip Club”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d