Një rast i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Dubravë të Istogut, ku një zyrtar policor e plagosi një të mitur. Viktima, i cili ka lidhje familjare me policin, dyshohet se u qëllua me armën zyrtare nga pakujdesia. Gazeta raportoi ekskluzivisht për të gjitha detajet e rastit dhe tashmë është deklaruar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Zyrtari policor Fatjon Hoti është arrestuar dhe suspenduar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.
“Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.” – thuhet në komunikatën e IPK-së.
Inspektorati Policor po ashtu e ka konfirmuar se polici i dyshuar ka lidhje familjare me viktimën.
Gazeta sot raportoi po ashtu se viktima është Getoar Kamberaj, tezak i policit të dyshuar, nga fshati Uçë i Istogut.
Njoftimi:
Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut ku një person ishte plagosur në kokë.
Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar.
Personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16 vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë.
Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare.
Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.