Arrestimet e mjekëve në Shqipëri, Policia: S’ua jepnin pacientëve shërbimin në spitalin shtetëror, i orientonin në privat

 

 

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Shqipëri, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale, pas një hetimi disamujor, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ka finalizuar operacionin policor “Kobalti”.

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka vendosur masat e sigurisë ndaj tetë personave, ndër ta mjekë në Spitalin Onkologjik të QSUT, kirurgë, ish-zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e spitalit dhe farmacistë e punonjës, të cilët dyshohen për keqpërdorim detyre.

“Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin.”

  • “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në shtëpi” për shtetasin F. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;
  • “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin E. L., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen A. Y. (P)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen B. Q., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin H. G., banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;
  • Për shtetasen D. K., për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal, pasi ajo rezulton jashtë RSh-së.

“Gjithashtu, në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar.” – njofton Policia, transmeton Sinjali.

Në kuadër të këtij aksioni është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, 10 mijë euro, si dhe një klinikë mjekësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d