Ambasadori suedez, Jonas Westerlund është shprehur i zhgënjyer që ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë vazhdon të jetë e mbyllur.
Diplomati Westerlund thotë që ura duhet të hapet në koordinim me banorët lokal.
“Siç e dini unë kam qenë në Kosovë në vitin 1999 dhe i mbaj mend shumë mirë trupat franceze në urën e Ibrit. Ishin momente shumë të tensionuara. Jam i palumtur kur e shoh se edhe pas 24 vitesh ura vazhdon të mos jetë krejtësisht e hapur. Kjo tregon më së miri se ende nuk janë shëruar plagët e luftës. Unë konsideroj se ura duhet të hapet, por në koordinim me banorët lokal nga të dyja anët” , tha ambasadori Westerlund.
Westerlund vlerëson se situata në veri vazhdon të jetë tejet komplekse dhe ka sugjeruar qeverinë që për disa veprime të jetë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.
“Janë ndërmarre shumë veprime gjatë dy viteve të fundit në veriun e Kosovës. Siç e dini situata vazhdon të jetë komplekse. Unë pajtohem me ata që thonë së Kosova është shtet i pavarur që nga viti 2008 dhe ka të drejtë të marrë vendime. Por nëse dëshironi të keni KFOR-it këtu, BE-në, dhe nëse keni synim integrimin në strukturat euro-atlantike atëherë duhet të ketë koordinim me shtetet aleate”, thotë ai.
Tutje ambasadori suedez thotë se ka ardhur koha që të shqyrtohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa pret që të krijohet edhe një momentum i ri në procesin e dialogut.
Krejt në fund, Westerlund ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përpjekje më shumë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.