Operacionet në Postën e Kosovës janë paralizuar këtë të premte për shkak të grevës së punëtorëve të Drejtorisë së Teknologjisë Informative (IT).
Punonjësit e këtij departamenti janë në grevë që nga mëngjesi i ditës së sotme, tregon një letër që udhëheqësit e këtij departamenti ia kanë dërguar Kryeshefes Ekzekutive, Nora Raci, të enjten.Punonjësit e IT-së në Postë janë shprehur të pakënaqur me skemën e re organizative e cila është proces nga menaxhmenti i lartë i ndërmarrjes.
Në letrën dërguar Kryeshefes Ekzekutive, punonjësit e IT-së e kanë kundërshtuar ristruktutimin politik në ndërmarrje të kryer pa u konsultuar me një përfaqësues të departamentit të IT-së.
“Kemi bërë kërkesë përmes arkivës me datë 21.06.2024 që të takohemi me KE për të biseduar për këtë çështje, nuk është hasur në përgjigje as pas dy rikujtimeve të tjera me anë të email-it zyrtar me datë 25.06.2024 dhe 26.04.2024” thuhet në kërkesën e IT drejtuar Nora Rracit, kryeshefe ekzekutive në Postën e Kosovës.
Ata i kanë kërkuar kryeshefes Raci që të emërojë një anëtar nga departamenti i IT-së në komisionin të ristrukturimit. Deri në plotësimin e kërkesës së tyre, ata kanë thënë se do të jenë në grevë.
Një burim brenda Postës së Kosovës i ka thënë Paparacit se puna në ndërmarrje është paralizuar nga hyrja në grevë e punonjësve të sektorit të IT-së.
“Nga mëngjesi është paralizuar puna në Postën e Kosovës. Drejtoria e IT-së është në grevë për shkak të pakënaqësive me Ristrukturimin Politik”, ka thënë ky burim për Paparacin.
I njëjti burim ka thënë se “asnjë e-mail nuk mund të dërgohet dhe asnjë shërbim në zyre postare”.
Paparaci ka dërguar pyetje në Zyrën për Media të Postës së Kosovës për t’i pyetur rreth grevës së punonjësve dhe ndikimit të kësaj greve në operimet e ndërmarrjes, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.