Pas debateve për importin e akulloreve që përmbanin oksid etileni, ka reaguar Ministria e Bujqësisë.
Skandali u bë publik në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe çështja ishte audituar e akulloreve të kontaminuara në vitin 2021 ishte auditor nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Referuar shqetësimit të transmetuar në media me importin e produktit akullore nga Franca me prani të oksid etileni, ministria përmes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka marrë këto masa.
Më datë 30.07.2021 ora 11.49 PM nga sistemi RASFF informohemi se Shqipëria është në listën e 47 vendeve të cilat janë furnizuar me produktin akullore të prodhuar nga një kompani franceze, e cila përmbante “Substancën e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores”.
Me marrjen e njoftimit, AKU kryen verifikimet e sasisë të importuar për lotet respektive të evidentuara në njoftim, si dhe kreu inspektimin në këto Operatorë të Biznesit Ushqimor me qëllim ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit dhe tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e tij.
Importet për këtë produkt sipas loteve të përcaktuara nga sistemi RASFF janë kryer gjatë periudhës nga data 01.03.2021 deri me 22.05.2021 (data para daljes së njoftimit nga sistemi RASFF me datë 31.07.2021) .
Brenda periudhës 7 ditore nga marrja e njoftimit, është kryer inspektimi në subjektet respektive dhe më pas është bllokuar dhe asgjësuar e gjithë sasia e këtij produkti. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore. Inkurajojmë të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.
Oksidi i etilenit është lëndë e klasifikuar ndërkombëtarisht si lëndë gjenotoksike dhe kancerogjene dhe është ndaluar krejtësisht përdorimi i tij në ushqime që prej vitit 2011, pasi është faktor risku për sëmundje kanceroze të ndryshme si limfoma, leucemi, kancer stomaku dhe kancer gjiri.