Aktakuzë ndaj policit të dyshuar për bixhoz dhe keqpërdorim detyre – Prokuroria zbulon detaje

 

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, në mesin e të cilëve edhe një zyrtar policor, të dyshuar për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Polici ndaj të cilit është ngritur aktakuza është Safet Nura, për arrestimin e të cilit, Sinjali ka raportuar ekskluzivisht në muajin shtator të vitit të kaluar.

“…Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.N. (zyrtar policor) për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe  “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” të KPRK-së, ndërsa ndaj të pandehurve Rr.K., V.B., Q.Th., Y.K., dhe G.M., për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” të KPRK-së, si dhe ndaj të pandehurve Rr.K. dhe G.H., për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të KPRK-së.” – ka njoftuar Prokuroria.

Sipas aktakuzës, Nura, “në cilësinë e personit zyrtar, i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me dashje dhe dijeni e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i krijuar favore personit tjetër në atë mënyrë që gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri në kundërshtim me detyrat e tija zyrtare, kishte komunikuar përmes telefonit dhe pa autorizim, me avokatin e të dyshuarit-tani i ndjerë,  i cili ka qenë i dyshuar për veprën penale të dhunës në familje, me qëllim të mundësimit të lirimit të tij fillimisht nga masa e ndalimit, e më pas duke i mundësuar të takohej dhe të ketë kontakte me familjarët e tij e me persona të tjerë, si dhe duke kërkuar edhe nga zyrtarët e tjerë policorë që ishin në zbatim të vendimit të prokurorit të shtetit mbi ndalimin e të dyshuarit-tani i ndjeri, që t’ia mundësonin kontaktet me familjarët dhe personat e tjerë, kështu duke vazhduar edhe me pengimin e zbatimit të masës së paraburgimit.”

Kurse të akuzuarit Rr.K., V.B., Q.Th., Y.K., dhe G.M., “në vazhdimësi e deri më 07.09.2023, në vende të ndryshme të Prishtinës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, kanë organizuar, ndihmuar dhe marrë pjesë në lojëra të fatit-bastore, përmes një faqes së internetit dhe përdorimit të telefonave të mençur.”

Ndërsa, të pandehurve Rr.K. dhe G.H., pas zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykata për kontroll u janë gjetur në posedim armë pa autorizim nga organi kompetent.

“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, si dhe për të pandehurin S.N., ka propozuar që t’i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike. Ndërsa, në bazë të nenit 269 dhe 276 të KPPRK-së, sendet e sekuestruara me urdhrin ndalues përfundimtar të gjykatës të konfiskohen dhe të procedohen sipas procedurave të parapara ligjore, duke përfshirë edhe konfiskimin e shumës prej 3390€ e krijuar si rezultat i kryerjes së veprës penale.” – përfundon komunikata.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d