Aktakuza ndaj tetë ish-zyrtarëve të NBP-së: Kjo është prona e sekuestruar me propozim të Prokurorisë Speciale

 

 

Ndërmarrja Publike Banesore, zyrat e së cilës u bastisën nga Policia e Kosovës në korrik të vitit 2022, në prill të vitit 2021 kishte iniciuar një marrëveshje për bashkë-investim që përmes një tenderi publik të ndërtonte një projekt afaristo-banesor në Prishtinë.

Bëhej fjalë për një objekt shumë-katësh që do të ndërtohej në lagjen Lakrishte të kryeqytetit.

Objekti do të ndërtohej nga kompania private, ndërsa Ndërmarrja Publike Banesore do të merret 30 për qind të banimit, ku do të vendoseshin edhe zyrat e reja të ndërmarrjes.

Por, kjo pronë është sekuestruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me propozim të Prokurorisë Speciale. Specialja ngriti sot aktakuzë ndaj tetë ish-zyrtarëve të ndërmarrjes nën dyshimin për korrupsion.

“Prona e cila është objekt i akuzës, bazuar në Kërkesën e Prokurorisë, është sekuestruar nga Gjykata dhe në bazë të Aktakuzës, PSRK i ka propozuar Gjykatës që ta konfiskojë atë dhe e njëjta t’i kthehet sërish pronës publike”, tha Prokuroria Speciale në një njoftim për media të hënën.

Projekti ku synoheshin të bëheshin zyrat e reja të ndërmarrjes, ishte kundërshtuar nga pushteti qendror i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, në proces ishte përfshirë edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila e kishte kthyer në pikën zero një proces të përcaktimit kufitar mes dy parcelave të AKP-së dhe NPB-së. Projekti nuk mund të vazhdonte pa përcaktimin kufitar mes parcelave të dy institucioneve.

Ministria e Ambientit, e udhëhequr nga Liburn Aliu, në fund të vitit 2021 kishte nxjerrë vendim për pezullimin e procesit, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.

Lidhur me rastin, NPB-ja ishte ballafaquar në gjykatë edhe me padi nga Qeveria e Kosovës, por rastin e kishte fituar me vendim të formës së prerë të Gjykatës.

NPB-ja, e akuzonte në vazhdimësi qeverisjen qendrore për vendosje të pengesave administrative për realizimin e projektit janë kaluar.

“Tash e 9 muaj NPB ka hasë në pengesa të ndryshme administrative nga AKP-ja si rezultat i së cilave është pezulluar puna në ndërtimin e projektit në Lakrishte. Këto pengesa ndërlidheshin me përcaktimin e vijës së parcelave në mes NPB-së dhe AKP-së”, kishte thënë NPB-ja në një deklaratë për shtyp më 2022.

Ndërmarrja, e cila kishte dy aksionarë nga Partia Socialdemokrate, kishte thënë se pezullimi i projektit mund të “rrezikojë hyrjen e padëshiruar në një proces të mundshëm arbitrazhi”.

“Pas gjithë këtyre 9 muajve, vija tashmë është përcaktuar dhe atë – sipas të njëjtit propozim fillestar duke dëshmuar që gjithë këta muaj ishin vetëm një humbje e panevojshme kohe për NPB-në duke na rrezikuar hyrjen e padëshiruar në një proces të mundshëm arbitrazhi”, kishte NPB-ja.

NPB ka thënë se “qëndron e përkushtuar në rritjen e saj të pasurisë së paluajtshme përmes projektit të ndërtimit në Lakrishte”.

Çështja mori epilog final në qershor të vitit të kaluar kur aksionarët e rinj komunal të NPB-së anuluan projektin afaristo-banesor.

Në një konferencë për media më 8 qershor të vitit të shkuar, aksionari i NPB-së, Leutrim Retkoceri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se vendimi për anulimin e projektit bazohet mbi vlerësimin e Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës.

Retkoceri tha se Zyra Ligjore e komunës ka konkluduar se projekti është në kundërshtim me rregulloret në fuqi të NPB-së.

Ndërkaq, sot pas një hetimi mbi dy vjeçar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxha dhe shtatë aksionarëve komunalë në këtë ndërmarrje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d