Bixhozi i paligjshëm po sfidon shtetin. Aktivitete të tilla të organizimit të lojërave të fatit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Një rast i tillë është zbuluar dje në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj, ku në një lokal po organizoheshin lojëra të fatit.
Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në lokal, ku kanë gjetur dhe sekuestruar televizorë, tiketa, kompjuterë e pajisje tjera që shërbejnë për zhvillimin e aktivitetit, si dhe para të gatshme.
Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 42-vjeçarit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.