Dy nga viktimat e tragjedisë rrugore që ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së premtes në provincën e Venecias në Itali, janë shtetas shqiptarë. Forcat zjarrfikëse kanë arritur të nxjerrin nga lumi ku përfundoi pasi doli nga rruga, makinën “BMË Seria 3” me të cilën udhëtonin 3 të rinj.
Sakaq, polumbarët kanë nxjerrë nga uji i lumit Reghena edhe trupat e viktimave, dy djem me origjinë shqiptare dhe një vajzë italiane.
A2CNN raporton se viktimat janë të gjithë në të 20-at e tyre. Vajza 21-vjeçare e quajtur Giulia di Tillio me banim në Portogruaro dhe Egli Gjeci (26 vjeç) e Altin Hoti (22 vjeç), me origjinë shqiptare, të dy banues në Concordia Sagittaria.
Mediat italiane raportojnë se Hoti ishte drejtuesi i mjetit. Familja e të riut është tronditur nga humbja e tij, pasi në një aksident rrugor po në Portogruaro humbën në maj të këtij viti djalin e vogël,19-vjeçarin Admir Hoti.
Sakaq, Egli Gjeci kishte shumë pasion për futbollin dhe kishte ndjekur institutin profesional D’Alessi në qytetin, ku edhe humbi jetën.
Kërkimet e zjarrfikësve në lumë vazhduan disa orë pasi dyshohej se në makinë ishte një djalë i katërt, por kërkimet rezultuan negative.
Sipas disa dëshmitarëve, makina në të cilën po udhëtonin të rinjtë shkoi drejt në një kthesë, duke kaluar përtej një bordurë përpara se të përfundonte e fundosur në lumë. Prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e autopsisë së drejtuesit të mjetit për të kuptuar gjendjen psikofizike në të cilën ka drejtuar para tragjedisë./Prishtina Sot/