Mbrëmja e së shtunës ishte e kobshme për qytetin e Prizrenit dhe gjithë vendin. Tre të rinjtë, Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, humbën jetën pasi u goditën për vdekje nga veturat që po zhvillonin gara shpejtësie në autostradë. Lidhur me rastin janë arrestuar Arlind Syla dhe Irfan Hoti, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Lidhur me këtë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, sot në një konferencë për media ka thënë se me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë diskutuar për masat që duhet të ndërmerren në raport me organizimin e garave automobilistike të jashtëligjshme” dhe “për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik”.
Ai tha se drejtori i Policisë ka marrë masa lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimit të garave të paligjshme”.
“Këtë konferencë po e mbajmë për të folur për sigurinë në trafik dhe sidomos aksidentet me fatalitet. Çështja e cila kohët e fundit më së shumti na ka prekë është vdekja e tre të rinjve në Prizren dhe mbrëmë në komunën e Podujevës. Mbrëmjen e së shtunës jemi njoftu për një aksident të tmerrshëm që ka ndodhë në autostradën Ibrahim Rugova, teksa po mbaheshin gara të jashtëligjshme. Mbrëmë humbëm edhe një qytetar në aksidentin në Podujevë. Kemi diskutuar për masat që duhet të ndërmirren sidomos nga Policia e Kosovës për organizimin e garave të jashtëligjshme për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik dhe masat që janë ndërmarrë ndaj zyrtarëve policorë për në trajtimin me prioritet të organizimeve të garave të paligjshme dhe për veprimet e mëtejshme që do të ndërmarrim si institucione. Vitin që po e lëmë pas Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizu gara të jashtëligjshme automobilistike. Për rastin e të shtunës, Policia e Kosovës të njëjtit grup dy herë ia kishte parandaluar organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është është bërë publike në shumë media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie e rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patentë shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla ndër të tjera.
Ai paralajmëroi ashpërsim të dënimeve për shkeljet në komunikacion. Sveçla tha se me ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor parashihet dhe do të ketë ashpërsim të masave ndaj shkelësve në komunikacion, ndër të tjera dyfishim të gjobave të vlerës monetare, dyfishim të afateve kohore të konfiskimit të patentë shoferëve dhe dyfishim të pikëve negative.
“Referuar kësaj zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore, ndërsa janë aktivizuar edhe veturat me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik për shkeljet në komunikacion.
Përkundër të gjitha masave duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe humbjen e jetëve në komunikacion konsiderojmë ashpërsim të veprimeve tona dhe realizim të tyre pa kompromis. Këto viti kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni përfshirë edhe këmbësorë. Ne si shoqëri e si shtet nuk kemi qytetarë për të humbur për shkak të pakujdesisë së dikujt apo mosrealizimit të detyrave të zyrtarëve tanë. Ditëve në vijim do të aktivizojmë të gjithë mekanizmat institucional për veprim dhe në reagim. Nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj personave që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit dhe që me veprimet e tyre shkaktojnë rrezikshmëri e vdekje. Në Kuvendin e Kosovës komisioni për mjedis bashkë me policinë e Kosovës kanë finalizu amendamentet për plotësim ndryshim të ligjit për rregullat e trafikut rrugë dhe më këtë rast parashihet dhe do të ketë ashpërsim të masave ndaj shkelësve në komunikacion, ndër të tjera dyfishim të gjobave të vlerës monetare, dyfishim të afateve kohore të konfiskimit të patentë shoferëve dhe dyfishim të pikave negativ. Parashihet që përgjegjësia e shkeljeve në komunikacion të rëndojë mbi pronarin e veturës”, tha Sveçla në një konferencë për media.