AKP-ja anuloi qiratë e pompave në veri “për shkak të shkeljeve”

 

 

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tha se pronarët e pompave të mbyllura të karburanteve në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë shkelur kontratat e qirasë, për shkak se nuk kanë respektuar një klauzolë që ka të bëjë me marrjen e licencës për punë me derivate të naftës.

Për këtë arsye, sipas AKP-së, janë ndërmarrë veprime për ndërprerjen e atyre kontratave.

AKP-ja shpjegoi se pompat e mbyllura të karburanteve, janë në pronësi të saj – si trashëgimi e ndërmarrjeve të dikurshme shoqërore “INA Trgovina” nga Zagrebi dhe “Jugopetrol” i Beogradit – dhe se ajo ka të drejta ekskluzive për t’i menaxhuar ato.

Agjencia tha se kishte kontrata qiraje, të vlefshme dy vjet, me biznesmenë nga veriu i Kosovës, por nuk specifikoi se kur ishin nënshkruar ato.

Javën e kaluar, Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Qeverinë e Kosovës mbylli pesë pompa të karburanteve në veri, pasi që, siç u tha, pronarët nuk kishin licenca për punë.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie më 22 korrik, të gjitha subjektet afariste që merren me shitjen e derivateve të naftës, duhet të kenë licenca, ndërsa ndaj atyre që shkelin ligjin, do të merren “masa të rrepta ndëshkuese”.

Ministria kompetente tha se inspektimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, për të kontrolluar nëse pikat e karburanteve kanë licenca të vlefshme për aktivitetin që ushtrojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d