Prezenca e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar Hetimor në lidhje me rezervat shtetërore të martën, ka ngjallur të qeshura mes deputetëve.
Kjo pasi Lekaj është shpallur fajtor dhe dënuar nga Gjykata me 3 vjet e 8 muaj burgim lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
“A s’je ti në burg a?, ishte pyetja me të cilën deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi iu drejtua kolegut të tij, Lekaj.
“Edhe pak”, ishte përgjigjja e Lekajt, që u pasua me të qeshura nga deputetët tjerë.
Ish-Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burg efektiv në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’.
Lekajt i është shqiptuar edhe dënim plotësues ku i ndalohet ushtrimi i funksionit publik në administratë publike për 3 vite e gjashtë muaj.
Ndërkohë, avokati i tij, Musa Damati ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.