A po dështon drejtësia: Gruaja në Pejë tri herë e raportoi ish burrin, 37-vjeçari me dy urdhërarreste i pakapshëm

 

 

Dështimi i institucioneve të drejtësisë për të vepruar në mënyrë efektive konsiderohet se po e përshkallëzon dhunën në familje. Të dhënat e Policisë së Kosovës kanë treguar se vetëm vitin e kaluar janë raportuar mbi 2 mijë e 400 raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë. Edhe më shqetësues mbetet fakti kur burrat janë recidivistë dhe e shijojnë lirinë nga arratia, ndërkohë që në Polici kanë raste të hapura.

Raste të tilla i kanë ndodhur jo rrallëherë një gruaje 33-vjeçare nga Peja, e cila qe rreth 1 vit është ndarë me bashkëshortin, por telashet s’po kanë fund, raporton Gazeta Sinjali.

Edhe pse e raportoi së paku tri herë brenda 12 muajve, i dyshuari ka arritur që sërish të ushtrojë dhunë ndaj saj e ta kërcënojë seriozisht – ndërsa ndaj tij janë lëshuar dy urdhërarreste.

Sinjali ka mësuar se rasti i fundit e alarmoi viktimën (emër i njohur për redaksinë), e cila u detyrua që të kërkojë ndihmë sërish në Polici, ku deponoi edhe dëshmi për kanosjet e vazhdueshme të ish burrit të saj.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ndër të tjera se i dyshuari së fundmi e ka kërcënuar me fjalët “N’Polici s’kom mu dorëzu pa t’lonë në kolicë ty, mos guxo me m’dalë para syve” – duke i shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.

I dyshuari përveç gruas, ka ushtruar dhunë edhe ndaj vajzës.

Këtë e kanë konfirmuar nga Policia Rajonale në Pejë.

Viktima femër kosovare ka raportuar se,  ish bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, përmes telefonit i ka dërguar mesazhe-porosi fyese dhe kërcënuese, ndërsa viktima-vajza e tyre e mitur ka deklaruar se, i dyshuari ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj-vajzës . Viktima (vajza)  ka refuzuar strehimin dhe bashkë me nënën ka shkuar në shtëpinë e saj (të prindërve të nënës). Rasti është duke u hetuar.”

Ndonëse po kërkohet në bazë të dy urdhëresave, burri i dyshuar ka arritur që të qëndrojë në arrati në vazhdimësi, siç po vepron edhe me rastin e fundit.

Siç merr vesh Sinjali, Policia e ka kërkuar të dyshuarin pas denoncimit të rastit të fundit, por nuk kanë arritur ta kapin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve për të siguruar prezencën e të dyshuarit.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d