A do të përfshihet SHBA drejtpërdrejtë në luftë në Lindjen e Mesme?

 

 

Prej muajsh, presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Izraelin që të mos lejojë që lufta në Gazë kundër Hamasit të mbështetur nga Irani, të përhapet kundër Hezbollahut në Liban dhe, edhe ndaj vetë Iranit.

Por ndërsa Izraeli po lufton në Liban dhe është zotuar për hakmarrje ndaj sulmeve me raketa të Teheranit, shumë druhen se ky moment ka ardhur.Shpërthimet në Bejrut të mërkurën, ishin pjesë e asaj që Izraeli thotë se janë sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Në Damask, media shtetërore siriane njoftoi se tre civilë u vranë gjatë sulmeve izraelite të martën. Të tjera sulme u njoftuan në kryeqytetin sirian të mërkurën.Të martën, Irani lëshoi 180 raketa ndaj Izraelit, duke dëmtuar një shkollë në qytetin izraelit të Hod Hasharonit dhe duke vrarë të paktën një person në Bregun Perëndimor.

Teherani thotë se sulmi u krye si hakmarrje për vrasjen nga izraelitët të udhëheqësve të Hezbollahut, Hamasit dhe ushtrisë iraniane.Ndërsa Izraeli po përgatitet të kundërpërgjigjet, të mërkurën presidenti Joe Biden diskutoi mbi konfliktin me udhëheqësit e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës.

Ne do të vazhdojmë diskutimet me izraelitët se çfarë do të bëjnë, por të shtatë jemi dakord që ata kanë të drejtë të përgjigjen, por përgjigja duhet të jetë proporcionale“, tha ai.

Biden tha se nuk do ta mbështeste një vendim të mundshëm të Izraelit për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit.Presidenti amerikan ka paralajmëruar prej kohësh Izraelin që të mos lejojë që lufta e tij kundër Hamasit në Gazë të përhapet ndaj Hezbollahut në Liban, si dhe ndaj vetë Iranit.

Këtë javë Izraeli nisi një inkursion tokësor në Liban. Autoritetet izraelite kanë kërcënuar se do të sulmojnë Iranin si dhe vendeve të tjera ku ndodhen bashkëpunëtorët e Teheranit.

Uashingtoni druhet se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të çojë në një përfshirje të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në luftë nëse Irani hakmerret kundër Izraelit – e veçanërisht nëse goditen zonat e influencës amerikane në rajon.

Shtetet e Bashkuara janë përfshirë tashmë në operacionet për interceptimin e raketave iraniane që synojnë të godasin Izraelin.

Por mbetet e paqartë nëse Biden do të përdorë aftësitë ushtarake amerikane për të goditur drejtpërdrejt Iranin.

Ajo çka është e qartë është se pavarësisht thirrjeve të tij për një armëpushim në Gazë dhe Liban, Uashingtoni nuk ka arritur ta frenojë konfliktin, raporton VOA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d