Komisioni i PE-së voton pro raportit për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë

 

 

Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian për miratoi sot draft-raportin për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe në Kosovë.

Siç raporton Euronews në gjuhën serbe, për raportin votuan 34 deputetë të LIBE, shtatë ishin kundër dhe 12 abstenuan.

Votimi në komitetin për liritë qytetare, drejtësinë dhe çështjet e brendshme është hapi i parë drejt marrjes së vendimit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët posedojnë vetëm pasaporta të lëshuara nga organet serbe, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Pas miratimit të draft raportit nga komisioni i PE-së, Parlamenti Evropian duhet ta votojë atë dokument në seancën e fundit plenare, e cila do të mbahet nga 22 deri më 25 prill në Strasburg.

Në prill të vitit të kaluar, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën,  i cili hyri në fuqi më 1 janar vlente vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Ky propozim ishte kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, e cila u është drejtuar KE-së dhe vendeve anëtare të BE-së me argumente kundër një vendimi të tillë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 20 nëntor ia dërgoi një letër Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku thotë se ky propozim shkel sovranitetin e Kosovës, pengon integrimin e serbëve në Kosovë dhe hap rrezikun e përdorimit të të dhënave të pasakta çka paraqet edhe kërcënim të sigurisë.

“Lëshimi i pasaportave nga Qendra ilegale koordinuese e Serbisë, që i konsideron komunat në Kosovë si pjesë e juridiksionit të Serbisë, është shkelje serioze e sovranitetit”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës, ku rikujtohet se Bashkimi Evropian e ka konsideruar Kosovën si të vetmin autoritet legjitim për regjistrin civil me të drejtë të lëshimit të pasaportave për qytetarët që jetojnë në hapësirën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d