Emri i Shkodran Pulajt, i cili dikur njihej si i paprekshmi i Prizrenit që shoqërohej me zyrtarë policorë, është rikthyer sërish në ‘skenë’. Pulaj e kishte krahun e fortë dhe miqësia e tij e kishte shpëtuar nga arrestimi e hetimi për vepra të ndryshme deri më 4 shtator 2023 kur përfundoi në pranga për drogë. Nisja e hetimeve ndaj tij vuri në pah edhe dyshime për përfshirje edhe në vepra të tjera, e madje edhe për pazarllëk me policë, prokurorë e gjykatës.
Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se ndaj Pulajt, Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.
Organet e rendit po e hetojnë përfshirjen e tij në këtë rast, ku viktimë është një djalë i moshës së mitur (emër i njohur për redaksinë), i cili dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga Shkodran Pulaj.Informacionet që posedon Sinjali janë konfirmuar edhe nga avokati i Pulajt, i cili tha se i njëjti akoma nuk ka dhënë deklaratën e tij për këtë rast, që e quajti montazh të Policisë.
Ai e akuzoi sistemin e drejtësisë se kanë “punuar” me qëllim kundër Pulajt, pasi sipas tij nuk ekziston asnjë provë se ka kryer veprën “Dhunimi”.
“Po, për momentin është një aktvendim për fillimin e hetimeve, mirëpo akoma nuk ka dhënë deklaratë që dy muaj. Krejt jonë montazhe, çka me të thonë…
Akoma nuk ka dhënë asnjë deklaratë dhe asnjë provë nuk është, vetëm e kanë marrë në pyetje një të mitur, i cili ka dhënë deklaratë për drogë, e me atë dyshim…se krejt është montazh, është një përgatitje prej Policisë. Unë po e akuzoj jo Policinë, po krejt sistemin tonë se nëse mshelet njeri 2 mujë e 3 mujë dhe nuk zhvillohet asnjë veprim nuk ndërmerret, është shkelje e lirive dhe të drejtave.
Ai është në paraburgim për dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunim”. Për shitblerje të drogës iu ka ndërpre menjëherë rasti, landa është në Pejë.”- tha ai .
Shkodran Pulaj ishte arrestuar pas një aksioni të zhvilluar në lagjen “Bajram Curri” në Prizren, nën pasi ishte cak i Policisë, nën dyshimet se kishte kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pulaj, i cili ka qenë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për asamblist në Prizren, njihet si person që ka pasur krahun e fortë dhe asnjëherë nuk është prekur nga organet e rendit.
Veprimtaria e tij nuk është ndalur, teksa shoqërimi i tij me ish shefin e Antidrogës, Enver Bujari, në kohën sa ai mbante këtë pozitë ka vazhduar e madje edhe ishte bërë publike. Ky i fundit në fillim të këtij viti ishte emëruar mbikëqyrës në Departamentin për Krimeve Ekonomike.
Por jo vetëm me të parin e Njësisë së Antidrogës, Shkodran Pulaj ka pasur takime të shpeshta edhe me hetuesin policor të Hetimeve Rajonale, Metë Kastrati, si dhe me rreshterin Bashkim Luzha.
Ndryshe, Betimi për Drejtësi ka raportuar së fundmi se përveç dyshimeve për pazarllëqe me lëndë me prokurorin Metush Biraj, ka pasur tendenca të hapura të sistemit të drejtësisë për ta shpëtuar atë.
Në mesin e pazarllëqeve nga Pulaj, është zbuluar se si gjyqtari Sejrani, ka marrë përsipër dy raste të të akuzuarit Pulaj, edhe pse kishte qenë njëri ndër gjykatësit që kishte pasur kontakte me të.
Zbulimi i komunikimeve mes tyre ka bërë që Sejrani të ndërmarrë hapa ligjorë, duke ushtruar kallëzim penal ndaj shefit të Njësisë së Antidrogës në Prizren, Fitim Thaqit dhe dy hetuesve të tjerë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.