Prej sot do të fillojë të zbatohet Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor pasi Ligji është votuar në Parlament dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024.
Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm disa prej veprimeve të vozitësve që pritet të dënohen shumë më ashpër sesa me Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor.
Sipas Ligjit të ri, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 19.03.2024 dhe hyn në fuqi më 03.04.2024, parashihet që dënimi me gjobë për personat që nuk vënë rripin e sigurisë të jetë 150 euro.
Mosvënia e rripit të sigurisë me Ligjin e kaluar dënohej me 40 euro gjobë.
Tutje, Ligji i ri ia ndalon vozitësit të automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, gjë të cilën nuk e kishte specifikuar Ligji i vjetër (aktual). Ligji i ri ka paraparë dënimin me gjobë prej 400 euro, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe ndalim të vozitjes së automjetit për 6 muaj nëse mban në prehër dikë tjetër.
Ligji i ri ka paraparë dënime edhe për vozitësit të cilët bëjnë tejkalime në vijë të plotë. Gjoba për këtë veprim do të jetë 200 euro, shqiptimi i 2 pikëve negative dhe 3 muaj ndalim të drejtimit të automjetit. Ligji i vjetër kishte paraparë dënimin me gjobë nga 100-300 euro, 3-6 muaj ndalim të vozitjes dhe 2 pikë negative.
Gjatë vozitjes nuk lejohet përdorimi i telefonit.
Këtë e ka paraparë Ligji për rregullat e trafikut rrugor. Nëse një person përdor telefonin gjatë vozitjes i njëjti do të dënohet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative.
Nëse veprimi i njëjti i përdorimit të telefonit përsëritet për herë të dytë, ngasësi i veturës do të dënohet me 200 euro gjobë dhe me shqiptimin e dy pikëve negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj. Ndërsa nëse për më shumë se dy herë vozitësi ka përdorur telefonin do të dënohet me gjobë në shumën 500 euro, do t’i shqiptohen tri pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje prej 6 muajsh.
3127 aksidente trafiku kanë ndodhur gjatë dy muajve të parë të vitit
3127 aksidente trafiku kanë ndodhur gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit 2024 ka deklaruar Policia e Kosovës.
Nga aksidentet me persona të vdekur, sipas Policisë së Kosovës gjatë janarit të 2024-së janë 9 viktima më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kurse, 1068 aksidente me lëndime e 2010 persona të lënduar janë gjatë muajit janar të vitit aktual thuhet në statistika të Policisë.
Ndërsa tiketa të shqiptuara në këtë periudhë kohore janë 117905 sosh.