Banesa, garazha, shtëpi e Audi- Kjo është pasuria e deklaruar e kandidatit të PDK’së për kryeministër

 

 

Bedri Hamza u prezantua dje si kandidat për kryeministër nga radhët e PDK’së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Hamza përveç si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, kryen edhe funksionin e profesorit në kolegjin AAB. Në deklarimin e tij të pasurisë, aty thuhet se në pronësi ka dy banesa, një shtëpi, tri garazha dhe një tokë.

Hamza në deklarimin e tij të pasurisë për 2023-ën ka të deklaruara një banesë prej 98 metrash katrorë, të blerë më 2007-ën në vlerë prej 46 mijë eurosh. Hamza ka një banesë tjetër prej 120 metrash katrorë të blerë më 2011-ën në vlerë prej 70 mijë eurosh, shkruan Prishtina Sot.

Propozimi i PDK’së për të parin e ekzekutivit po ashtu ka gjithsej tri garazha: një prej 35 metrash në vlerë prej 2,700 euro, një tjetër prej 30 metrash katrorë të blerë tetë mijë euro dhe garazha 16 metra katrorë në vlerë prej katër mijë eurosh.

Kryetari aktual i Mitrovicës tek pasuria e paluajtshme ka të deklaruar edhe një tokë të trashëguar prej një hektari, në vlerë prej 50 mijë eurosh.

Totali i vlerës së pasurisë së paluajtshme që është vetëm në pronësi të Hamzës arrin vlerën e 205 mijë eurove.

Hamza ka një veturë personale të tipit Audi, të cilën e ka blerë në vlerë prej 25 mijë eurosh në vitin 2020. Nga këto 25 mijë euro, 10 mijë euro i ka të marra kredi për realizimin e blerjes së veturës.

Kandidati i PDK’së për kryeministër ka deklaruar se si kryetar i komunës merr të ardhura vjetore në vlerë prej 16,556 eurosh. Ndërkaq, si profesor në AAB 7,695 euro.

Përgjatë ditës së djeshme, kryetari aktual i PDK’së, Memli Krasniqi, e ka propozuar Bedri Hamzën për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d