Grupi kriminal që po akuzohet për grabitjen spektakolare të rreth 1 milionë eurove nga automjeti i kompanisë së sigurimit “Besa Security” më 18 nëntor të vitit 2021 në fshatin Parallovë, shumë shpejt pritet të ulen në bankën e të akuzuarve. Ndaj gjashtë të dyshuarve, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë për disa vepra penale. Në mesin e tyre ishte edhe menaxheri i kompanisë, i cili ishte përfshirë në planin si në filma, për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht.
Siç merr vesh gazeta, gjashtë personat që po akuzohen për këtë rast, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘’Grabitja’’, ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’’ janë:
Në këtë rast, grupi i akuzuar kishte një ‘dorë’ brenda kompanisë, e që ishte Milaim Lipovica, menaxher i Logjistikës, i cili ‘sigurimin’ e vetëm që e ka bërë në këtë rast ka qenë ndihma për t’u grabitur paratë nga kompania në të cilën shërbente.
Sinjali kishte raportuar më 5 mars 2022 se si ishte përgatitur gjithçka dy javë para se të ndodhte grabitja, ndërsa tashmë të njëjtat detaje janë konfirmuar edhe në aktakuzën e Prokurorisë.
Në aktakuzën e ngritur ndaj tyre thuhet se më 18 nëntor 2021, në rrugën regjionale Gjilan-Prishtinë, në fshatin Parallovë, komuna e Novobërdës, gjashtë të akuzuarit në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë grabitur shumën e parave prej 996,271.24€ dhe 46,780.00 dollar amerikan (USD) në dëm të Bankës Pro Credit dhe kompanisë “Besa Security”.
I akuzuari Gashi ka siguruar dhe vënë në qarkullim automjetin e tipit ‘’Volvo’’, ndërsa Lipovica si menaxher në Kompaninë “Besa Security’’, “ka përgatitur automjetin special për transportimin e parave të gatshme, ashtu që i njëjti pa dijeni të pronarit të kompanisë, këtë automjet e ka dërguar në autoservis pronar i të cilës ishte i akuzuari Xhaka., ku aty bashkë me të ia vendosin pajisjen elektronike për ç’aktivizim të motorit nga distanca përmes teledirigjimit dhe në ditën kritike të pandehurit Berisha, Sogojeva dhe Muqolli., automjetin ‘’Volvo’’ e fshehin në fshatin Parallovë, ndërsa me automjet ‘’Zafira’’ i vihen pas në përcjellje automjetit ‘’Fiat’’, i cili kishte grumbulluar paratë nga automatet bankare për t’i dërguar në Bankën Qendrore Pro Credit në Prishtinë, ku me të arritur në fshatin Parallovë, e ndalin me teledirigjim dhe të njëjtit të maskuar dhe të armatosur me armë të gjata, fillimisht gjuajnë me armë, pastaj shoferin dhe tre punëtorë tjerë i nxjerrin jashtë, marrin nga automjeti 10 çanta të mbushura me para, i vendosin në automjetin e tyre dhe shkojnë tek vendi ku e kishin lënë automjetin ‘’Volvo’’, ndërsa automjetin ‘’Zafira’’ e djegin.”
Dënimi që parashihet për ata që kryejnë veprën penale “Grabitja”
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që kryen veprën penale “grabitja” dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet burgim.
Sipas këtij neni, paragrafi 3, nëse vepra penale kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, ose ka me vete armën, dënohet me gjobë dhe burgim nga pesë deri në 12 vjet burgim. Ndërsa neni 33 thotë se “Kushdo që me dashje ndihmon personin tjetër për kryerjen e veprës penale dënohet më dënim më të butë sesa kryesi i veprës.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.