Bali Muharremaj e shpërblen me kontratë milionëshe ish-ministrin e AAK-së

 

 

Emri i Blerim Kuçit dhe tenderëve publikë është i pandashëm tash e disa vite. Pas përfshirjes në tenderët për ndërtimin e pallatit të drejtësisë në Hajvali, ndërtimit të spitalit publik në Prizren dhe sheshit të qytetit në Suharekë, emri i Blerim Kuçit ndërlidhet edhe më një tjetër tender.

Muajin e kaluar, kompania “Hiodroterm” Sh.P.K., pronë e familjarëve të ish-ministrit Kuçi, fitoi kontratën publike për vazhdimin e punimeve në sheshin e qytetit të Suharekës “Brigada 123”.

“Hidroterm Sh.P.K.”, zyrtarisht është në pronësi të Genc dhe Blerta Kuçit, fëmijëve të Blerim Kuçit, bazuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. Deri në vitin 2020, aksionar kryesor i kompanisë ishte Blerim Kuçi, por pas përfitimit të një tenderi publik gjatë kohës sa ishte ministër në Qeverinë Hoti, ai i kishte bartur të gjitha aksionet te fëmijët e tij.

Blerim Kuçi ishte aksionar i 100% të aksioneve në kompaninë "Hidroterm" Sh.P.K. deri në vitin 2020
Blerim Kuçi ishte aksionar i 100% të aksioneve në kompaninë “Hidroterm” Sh.P.K. deri në vitin 2020/ Foto: ARBK

 

Regjistrimi i kompanisë Hidroterm Sh.P.K. pas bartjes së aksioneve nga ish-ministri te familjarët e tij/ Foto: ARBK

Sipas Dosjes së Tenderit, komuna e udhëhequr nga Bali Muharremaj i AAK-së e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Hidroterm” Sh.P.K. më 7 nëntor në një procedurë tenderuese me vetëm një ofertë të dorëzuar: atë të kompanisë fituese.

Kontrata vlen 1 milion e 388 mijë euro, raporton Paparaci.

Blerim Kuçi dhe “Hidroterm” Sh.P.K. janë ndërlidhur edhe në të kaluarën me tenderët publikë.

Fillimisht, emri i Kuçit ishte përfshirë në procesin e dyshimtë të privatizimit të vreshtarisë në Suharekë. Bëhej fjalë për disa transaksione të dyshimta në  procesin e shitjes së ndërmarrjes NBI “Suhareka”.

Ish-ndërmarrja e vreshtave NBI  “Suhareka”, ishte privatizuar më 2007 dhe fitues qe shpallur “Agrokosova Holding”.

Lidhur me këtë rast Prokuroria Speciale e Kosovës kishte zhvilluar hetime në vitin 2011. Në mesin e atyre që ishin hetuar ishte edhe Blerim Kuçit, kreu i Komunës së Suharekës. Mirëpo, hetimet e Prokurorisë së Shtetit kishin pushuar disa muaj më vonë.

Në kohën kur Blerim Kuçi shërbeu si ministër i Drejtësisë, “Hidroterm” Sh.P.K. mori hise në tenderin për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.

Kontratën për këtë projekt që ishte më i madhi në Kosovë në fushën e drejtësisë e kishte fituar një kompani bullgare, e cila për nënkontraktor kishte zgjedhur kompaninë e ministrit Kuçi.

Për këtë tender, Prokuroria Speciale e Shtetit kishte nisur hetime në prill të vitit 2015 bazuar në një ekspertizë profesionale të autorizuar nga Prokuroria, e cila kishte konstatuar se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara.

Kompania e Kuçit kishte vazhduar të përfitonte nga prokurimet publike edhe në Komunën e Suharekës, të udhëhequr nga Bali Muharremaj, bashkëpartiaku i tij.

“Hidroterm” Sh.P.K., kishte fituar tender në vlerë prej 1.7 milionë eurosh nga Komuna e Suharekës në prag të zgjedhjeve nacionale të vitit të kaluar. Konkretisht në muajin gusht të 2019-s.

Kjo kompani ishte rekomanduar për kontratë për projektin për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro, ndonëse nuk kishte dorëzuar ofertën më të lirë për këtë tender.

Kishin qenë të paktën edhe dy oferta më të lira, por ato ishin eliminuar nga gara nga Komuna e Suharekës. /PrishtinaSot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d