Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin dy lokaleve të zëvendëskryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomanic.
Rasti ka ndodhur në orët e para të së premtes dhe Tomanic dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar.
“Zveçan 08.03.2024 – 00:45. Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin butikut të saj, zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Lidhur me rastin ankuesja dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar. Sipas ankueses, vlera e dëmit është e lartë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me këtë, zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se “ky rast është një përpjekje e kotë për të frikësuar serbët e liruar nga kthetrat e terroristëve të Listës Serbe”.
“Kjo vie një muaj pas bllokimit të paligjshëm të biznesit të familjes së zv.kryetares së Mitrovicës Veriore znj. Katarina Adzanćić nga regjimi i Vučićit dhe dy muaj pas djegies së veturës së kryesuesit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, z. Gorski Burić. Terroristët dhe banditët ndihen të trimëruar sa herë që ndërkombëtarët i kërkojnë Republikës së Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti dhe zbatimi i ligjit”, ka shkruar tutje ai në Facebook.