Ftesa e prokurores Rukije Shasivari për gazetarin Lirim Mehmetaj, reagon Prokuroria

 

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se do t’i analizojë veprimet e prokurores Rukije Shasivari, e cila e ka ftuar gazetarin Lirim Mehmetaj për intervistim për shkak të një deklarate ndaj deputetit Dimal Basha.

Mehmetaj, gazetar dhe opinionist, është ftuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për t’u marrë në pyetje si i dyshuar për veprën penale ‘Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit’.

Ai është denoncuar nga Basha i Lëvizjes Vetëvendosje për shkak të një deklarate përmes së cilës e ka quajtur “fashist” deputetin.

Prokuroria ka thënë se është obligim i organit të akuzës që të trajtojë secilin kallëzim penal.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar Kallëzim penal privat kundër L.M. nga pala e dëmtuar D.M”, tha Prokuroria e Prishtinës në një njoftim për media.

“Andaj, njoftojmë opinionin publik se veprimet e ndërmarra në këtë çështje janë në drejtim të trajtimit të Kallëzimit penal, për të cilën Prokurori i Shtetit ka obligim ligjor të trajtoj dhe sqaroj të gjitha rrethanat të cilat pretendohen nga palët e përfshira në proceset që zhvillohen para Prokurorit të Shtetit”.

Prokuroria e Prishtinës ka thënë se kryeprokurori Zejnullah Gashi do të analizojë veprimet e prokurores Rukije Shasivari.

“Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në njoftim, thuhet po ashtu se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara me Kushtetutë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d